Qeveria Kurti shkarkon bordin e drejtorëve të Ujësjellësit “Prishtina”

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme elektronike ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”.

Sipas një njoftimi për media, ky shkarkim ka ardhur me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Qeveria ka bërë të ditur se arsyet pse është shkarkuar bordi i kësaj ndërrmarje ka të bëjë me: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Pas kësaj, Qeveria i ka emëruar anëtarët të Bordit të Përkohshëm të kësaj ndërrmarje që janë:

  1. Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor;
  2. Hajrie Morina, drejtore;
  3. Seat Bilbani, drejtor; dhe
  4. Idriz Maliqi, drejtor.

KALLXO.com kishte rapotuar për arsyet që mund të çojnë në shkarkimin e bordit të Ujësjellësit “Prishtina”.

Auditori në raportin e auditimit të KRU “Prishtina’ 2018 ka theksuar se “pasqyrat financiare vjetore për vitin 2018 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”. Në këtë ndërmarrje publike, në vitet 2017 dhe 2018, ishin gjetur edhe një varg shkeljesh të tjera, si zbatim i ulët i rekomandimeve, dobësi në prokurim dhe telashe me menaxhim të kontratave.

Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradiaj në qershor të vitit 2019 kishte emëruar bordin e drejtorëve të KRU “Prishtina” , i cili përbëhej nga Betim Berisha – kryesues, si dhe drejtorët e tjerë: Amir Gashi, Bajram Jashari, Albetron Sahiti, Sejdë Tolaj dhe Ilir Rexhepi.

KALLXO.com kishte gjetur se bordi i kësaj ndërmarrjeje është ndarë në mënyrë të barabartë në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës, duke lënë jashtë bordit katër kandidatë që kishin fituar më shumë pikë dhe ishin hyrë në mesin e 6-të kandidatëve më të poentuar. Por, këta kandidatë më të poentuar nuk ishin emëruar nga qeveria Haradinaj,  në bordin e KRU “Prishtina”.

Favorizimi i bashkëpartiakëve për bordin e KRU Prishtinës (DOKUMENT)

www.kallxo.com