Mbijetesa e "Trainkos"-it me subvencione të Qeverisë

10 nga 11 ndërmarrjet publike të Kosovës kishin pranuar opinione negative nga Zyra Kombëtare e Auditimit për pasqyrat vjetore të vitit 2018.

Përveç kësaj, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje financiare.

Qeveria e Kosovës tashmë i ka shkarkuar bordet e tri ndërmarrjeve publike.

Bordi i Telekomit të Kosovës ishte shkarkuar me arsyetimin se ndërmarrja është në prag të falimentimit për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe operative.

Bordi i “Infrakosit” ishte shkarkuar me arsyetimin se i njëjti nuk kishte vepruar në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike për të suspenduar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje që kishte aktakuzë të ngritur.

Ndërsa, bordi i Trepçës është shkarkuar për shkak se ishte konstatuar se në konkursin për minatorë kishte pasur parregullsi, siç ishte raportuar edhe në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Punës, Rozeta Hajdari dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se Qeveria do të analizojë të gjitha raportet e Auditorit të ndërmarrjeve publike para se të marrë vendime për bordet që mund të shkarkohen.

KALLXO.com ka raportuar se disa prej ndërmarrjeve publike të audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë pranuar opinione negative për shkak të dobësive në menaxhim dhe paraqitje të pasqyrave financiare të tyre.

Përveç lëshimeve të shumta që ka identifikuar Auditori, KALLXO.com ka raportuar se disa prej anëtarëve të bordeve ishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme nga Qeveria Haradinaj gjatë vitit të kaluar, meqë ata kishin të kaluar politike.

Mbijetesa e “Trainkos” me ‘infuzione’ të Qeverisë

Bordi i kësaj ndërmarrjeje është emëruar më 2 prill të vitit 2019 nga Qeveria Haradinaj. Kryesues i bordit është emëruar Ramush Ahmetaj, ndërsa anëtarë të bordit janë emëruar: Agim Preniqi, Fejzi Kiqina, Ylber Shabani, Mustafa Mustafa dhe Ramiz Rrustaj.

Të hyrat e kësaj ndërmarrjeje në vitin 2018 ishin rreth 800 mijë euro, kurse 1 milion e 130 mijë euro i kishte pranuar nga Qeveria e Kosovës si subvencion apo grante investive. Kjo ndërmarrje ka pranuar subevencion prej 500 mijë euro nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe 1 milion e 170 mijë euro nga Ministria e Infrastrukturës. Përveç kësaj, MZhE-ja i ka ndarë edhe 260 mijë euro si grante investive.

“Trainkos” ka marrë opinion të kundërt për pasqyrat financiare në vitin 2017, ndërsa në vitin 2018 ka marrë opinion të kualifikuar.

Auditori jep një opinion të kundërt nëse arrin në përfundimin se keq-deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare, bazuar në dëshmitë e auditimit të mjaftueshme dhe të përshtatshme.

Kurse opinioni i kualifikuar jepet nga Auditori nëse auditori arrin në përfundimin se keq-deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë materiale por nuk janë përhapur në pasqyrat financiare.

Në vitin 2018, te opinioni i kualifikuar thuhet se Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, përveç efekteve të përshkruara në paragrafin Bazën për Opinion të kualifikuar, paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale.

Në bazën për opinion të kualifikuar, Auditori në vitin 2018 ka shkruar se “Trainkos” ka pranuar mjete për investime kapitale nga MZHE (aksionari) 260,353 euro të cilat nuk i ka prezantuar fare në aktivitetin financues të rrjedhës së parasë.

Auditori në vitin 2018 ka gjetur se nuk janë bërë harmonizime periodike në mes “Trainkos”-it dhe klientëve të saj. Llogaritë e arkëtueshme tregtare dhe të tjera në Pasqyrat Vjetore Financiare të “Trainkos” të vitit 2018 ishin 2,312,618 euro. Për të testuar saktësinë e tyre Auditori ka kërkuar nga “Trainkos” t’i dërgojë 7 letër konfirmime te klientët e Ndërmarrjes, për të konfirmuar vlerën e borxheve të tyre ndaj “Trainkos”-it, duke arritur në përfundim se disa prej tyre ishin mbivlerësuar.

Në raportin e vitit 2017 thuhet se “Trainkos” nuk ka bërë rivlerësimin e pasurive jo-qarkulluese që nga viti 2007. Ndërsa ky veprim kërkohet të bëhet një herë në 3 deri 5 vite. Vlera e pasurive jo qarkulluese (prona, pajisjet & impiantet) ishte 5,489,323 euro.

Në opinionin e kundërt të Auditorit për “Trainkos” në vitin 2017 thuhet se Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2017, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale. E në bazën për këtë opinion të kundërt, Auditori ka radhitur 9 pika.

Në raportin e auditimit për vitin 20217, thuhet se llogaritë e arkëtueshme gjatë vitit 2017 ishin zvogëluar për 523,232 euro, të cilat ishin borxhe të vjetra të pa arkëtuara të cilat ndërmarrja i ka shpallur si borxh i keq.

Njëra prej pikave për bazë të opinionit të kundërt ishte edhe se fitimi i vitit nuk paraqet rezultat të saktë financiar të ndërmarrjes kjo si pasojë e mos regjistrimit të shpenzimeve të borxheve të këqija në pasqyrën e të ardhurave në vlerë 523,232 euro.

Në njërën nga pikat që ka prezantuar Auditori te baza për opinion të kundërt, thuhet se “Tranikos” tek aktivitetet investuese kishte prezantuar shumën 964,095 euro, mjete këto të cilat janë pranuar nga MZHE për investime kapitale dhe duhej kategorizuar tek aktivitetet financuese. Po ashtu, në raport thuhet se pagesat e bëra për aktivitetet operative në vlerë 80,564 euro, ishin prezantuar si pagesa për aktivitete investive.

Emërimi i kundërligjshëm në bord

Nga 11 ndërmarrjet publike të audituara, vetëm Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës kishte marrë opinion të pamodifikuar, pra “Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018 paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”.

KMDK menaxhon Deponitë e Mbeturinave në rreth 70% të territorit të Kosovës. Edhe përkundër përpjekjeve për sigurimin e liçencës (dhe rekomandimit të ZKA-së nga viti paraprak), kompania ende vazhdon të operoj me liçencë të përkohshme prej vitit 2012, për shkak të mos përgjigjes nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

KMDK nuk kishte arritur të siguroj tariforen sipas kësaj kërkese dhe ende vazhdon që shërbimet e veta t’i faturoj në bazë të tarifores së trashëguar nga viti 2012. Kjo tarifore (e skaduar) mbulon vetëm mbledhjen e mbeturinave të amvisërisë me vlerë 5.31 euro për ton. Kompania vazhdon të pranojë lloje të tjera të mbeturinave për të cilat nuk kishte liçencë as tarifore, siç janë: deponimin e qelqit, gomës, mbeturinat e dheut dhe gurëve, mbetje shtazore dhe asgjësimin e mbeturinave të doganës.

“Për këto lloje të mbeturinave, Bordi i Drejtorëve të kompanisë në janar të vitit 2016 kishte caktuar tarifën në vlerë prej 50 euro/ton. Këtë veprim kompania e kishte bërë për shkak të mos përgjigjes nga organi kompetent për caktimin e tarifave, respektivisht MZHE”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2018.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, më 2 prill 2019 kishte emëruar Bordin e KMDK-së të përbërë nga Mentor Hoxha – kryesues; Gazmend Bytyqi – anëtar; Havë Qarri – anëtar; Bashkim Krasniqi – anëtar; Burim Gashi – anëtar dhe Selatin Retkoceri.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se Selatin Retkoceri, njëri nga anëtaret e emëruar në Bordin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive është zgjedhur në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike. Emërimi i tij bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak që Retkoceri në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e një partie politike, i zgjedhur publik e i emëruar politik.

Selatin Retkoceri në zgjedhjet e fundit komunale ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit dhe bartës i listës për këshilltarë komunal të Lipjanit nga partia Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Si kandidat për kryetar komune ai kishte marrë 2,520 vota apo 8.81%, duke përfunduar i treti. Retkoceri kishte qenë edhe bartës i listës së kandidatëve për këshilltarë komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte marrë 2 mijë e 728 vota. Aktualisht është asamblist i Kuvendit Komunal të Lipjanit.

Ndërsa në zgjedhjet nacionale, Retkoceri kishte marrë 2 mijë e 369 vota.

Anëtarja tjetër e këtij Bordi, Havë Qarri, ka arritur të hyjë në rrethin e ngushtë e më vonë edhe të emërohet anëtare në Bordin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, përkundër që nuk e ka plotësuar një prej kritereve të konkursit – përvojën e punës.

Ajo ka vetëm 1 vjet përvojë punë menaxheriale, si ushtruese e detyrës e Udhëheqëses së Prokurimit në Komunën e Shtimes. Por, Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe konkursi për Bord kërkon që anëtarët e Bordit duhet të kenë të paktën 5 vite përvojë – në një nivel të lartë të menaxhmentit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur mos-përputhje në mes të përvojës së punës që Qarri e ka shkruar në CV-në me të cilën ka aplikuar për Bord dhe përvojës reale.

Qarri në CV-në e saj kur kishte aplikuar për pozitën e anëtares së Bordit në Ndërmarrjen Publike “Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave”, kishte shkruar se ajo nga viti 2006 është e punësuar në Komunën e Shtimes si menaxhere e prokurimit. Ndërsa më poshtë ka shkruar se nga viti 2009 i ka menaxhuar kontratat në Komunën e Shtimes.

Sipas të dhënave të shkruara në CV-në e saj, e cila është publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit, del që Qarri ka mbajtur pozitë menaxheriale në Komunën e Shtimes për gati 13 vite.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ajo nuk i ka 13 vjet përvojë menaxheriale. Sipas të dhënave të cilat Gazeta JnK i ka siguruar nga Komuna e Shtimes, Havë Qarri është e punësuar në Komunën e Shtimes që nga viti 2006, por që nuk ka mbajtur pozita menaxheriale gjatë gjithë periudhës së saj të punësimit në këtë Komunë.

Një pozitë e tillë menaxheriale i është dhënë së fundmi, kur më 1 mars të vitit 2018 deri më 4 mars 2019, ajo është emëruar U.D. e Udhëheqëses së Prokurimit. Ndërsa më 4 mars 2019, një muaj para se të zgjidhej anëtare e Bordit, Qarri është emëruar drejtoreshë e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Shtimes.

Në fund të muajit janar të këtij viti, derisa tashmë ish-Qeveria Haradinaj ishte ende në detyrë, kishte mbajtur në mbledhje, ku ishte bërë e ditur që Havë Qarri ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Haradinaj kishte marrë vendim për të emëruar Naim Gashin, në vend të Qarrit.

Pastrimi me opinion të kundër të Auditorit

Ndërmarrja Publike Rajonale “Pastrimi” kishte mbyllur vitin 2018 me të hyra më të larta se sa shpenzimet. Të hyrat e realizuara në vitin 2018 ishin 6 milionë e 844 mijë euro, ndërsa shpenzimet 5 milionë e 510 mijë euro. Anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje nuk emrohen nga qeveria e Kosovës, mirëpo delegohen nga komunat, në bazë të rotacionit.

Gjendje financiare e kësaj ndërmarrje ishte e mirë në vitin 2018, mirëpo kishte shkelje tjera të identifikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Pasqyrat financiare vjetore për vitin 2018 të “Pastrimit”, sipas Auditorit, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale duke dhënë opinion të kundërt.

Ndërkaq disa nga shkeljet dhe parregullsitë që i ka evidentuar auditori në këtë ndërmarrje në raportin për vitin 2018, janë edhe: mosrishikim i planifikimit të buxhetit, mungesa e rregulloreve të brendshme për menaxhimin e aseteve, konsumatorë të pa identifikuar, numri i punonjësve të punësuar pa u specifikuar në marrëveshje, angazhimi i punëtorëve pa zhvilluar procedura te rekrutimit dhe tejkalim i afatit të angazhimit, etj.

Kurse, Auditorit tutje ka theksuar se ndërmarrja “Pastrimi”, arkëtimet në avancë në shumën 38,463 euro nga klientët e saj që kishin parapaguar për shërbimet e mbeturinave në të ardhmen, nuk i ka njohur si të hyra të shtyra – detyrime, por për këtë shumë kishte zvogëluar totalin e llogarive të arkëtueshme.

Njohja e tillë, si thuhet në raport, ka ndikuar në nënvlerësimin e të arkëtueshmeve dhe të detyrimeve – të hyrat e shtyra. Veprimet e tilla kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë për trajtimin e çështjeve në përputhje me standardet.

Një tjetër rast është se arkëtimet në shumën prej 426,076 euro, nuk u janë zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, mirëpo këto mjete ishin regjistruar në një llogari me përshkrimin “Klient i panjohur institucione, komuna dhe amvisëri”.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, kjo ka ndodhur si pasojë e transferit të klientëve nga njëri inkasant te tjetri dhe këto regjistrime janë bërë vetëm për qëllim të regjistrimeve në kontabilitet, e jo edhe për të identifikuar konsumatorët që kanë paguar.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për kompaninë rajonale “Pastrimi” ka gjetur se në këtë ndërmarrje punësimet janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

KALLXO.com vitin e kaluar ka raportuar për punësimet e shumta në këtë ndërmarrje, kur të afërmit e njerëzve në politikë janë punësuar me kontrata mbi vepër.

Njëri nga të punësuarit ka qenë edhe djali i ish-deputetit të AAK-së, Muharrem Nitajt, Egzon Nitaj.

Edhe gruaja e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj ishte punësuar si koordinatore juridike në kompaninë regjionale të mbeturinave “Pastrimi”.

Ndërmarrja publike “Pastrimi” pati një vend pune edhe për familjaren e deputetes së AAK-së, Time Kadriajn. Vetë deputetja e pranoi se Altina Alaj është afërme e saj.