Shkarkohet kryeshefi i “Hidroregjionit Jugor”

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, Besim Baraliu është shkarkuar dje nga pozita e tij e kryeshefit ekzekutiv nga ana e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas kryesuesit të bordit, Ylber Elshani, Baraliu është shkarkuar dje pasi në raportet e auditorit në tri vitet e fundit janë gjetur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes.

Përvec kësaj, Elshani ka thënë për KALLXO.com se për Baraliun ka pasur edhe shumë arsye të tjera që e kanë shtyrë bordin të marrë këtë vendim.

“Po mund të konfirmoj se është shkarkuar, ka shumë arsye për të cilat është shkarkuar por më kryesorja është se në raportet e auditorit në tri vitet e fundit ka pasur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes”, ka thënë Elshani.

Një javë më parë në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor” qeveria në detyrë emëroi katër anëtarë në bordin e përkohshëm, Altin Sahiti, Arieta Vula- Pozhegu, Edmond Halimi dhe Ylber Elshani.