8 Marsi - Komuna e Fushë Kosovës iu dhuron krem kundër rrudhave punëtoreve të administratës

Komuna e Fushë Kosovës ka blerë kremra për fytyrë kundër rrudhave dhe freskues për fytyrë në vlerë 998 euro për t’ia dhuruar grave të cilat punojnë në administratën komunale për nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Më 4 mars, gjashtë ditë pas hapjes së tenderit, Komuna e Fushë Kosovës e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “E E – Exim” Sh.p.k.

Sipas kontratës, kjo kompani do ta furnizojë Komunën e Fushë Kosovës me 100 kremra për fytyrë – anti rrudhë, me përmbajtje nga mukoza e kërmillit dhe vaji i ullirit (sasia 45-65 mililitra) dhe me 100 freskues për fytyrë, me aroma të ndryshme (trëndafil, livandë, ulli, balsam) (sasia 200-250 mililitra).

Vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 999 euro ndërsa kompania e shpërblyer me kontratë e ka firmosur atë për një euro më pak apo 998 euro.

“E E – Exim” Sh.p.k ka qenë kompania e vetme e cila ka garuar për këtë kontratë pa pasur ndonjë kompani tjetër për ta sfiduar në tenderin “Furnizimi me dhurata për zyrtaret e Administratës Komunale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas”.

Ditë më parë KALLXO.com ka raportuar se si Komuna e Klinës ka ndarë 3 mijë euro për shëtitje në Ulqin për gratë e Administratës komunale, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.