66 pacientë me COVID-19 po trajtohen në ShSKUK, disa nga ta, në gjendje të rëndë

66 pacientë me coronavirus janë duke u trajtuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, 33 prej tyre janë pacientë post- COVID të cilët po marrin trajtim në klinikën e Pulologjisë, 21 pacientë të tjerë janë nën asistim me oksigjeno- terapi ndërsa dy pacientë janë duke u trajtuar në mjekim intensiv në Klinikën Infektive.

Në klinikën Infektive, po ashtu, janë duke u trajtuar pesë pacientë me COVID-19.

Pacientë me SARS-CoV-2 janë duke u trajtuar edhe në katër spitalet rajonale në vend. Spitali i Mitrovicës është duke trajtuar 11 pacientë, nëntë pacientë janë në spitalin e Gjakovës, katër në atë të Pejës ndërsa dy pacientë me COVID-19 janë në spitalin rajonal në Ferizaj.

Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se 21 qytetarë kanë rezultuar të infektuar me coronavirus nga 1 mijë e 651 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ndërsa nuk është evidentuar asnjë rast i vdekjeve me COVID-19, përderisa 10 persona të tjerë janë shpallur të shëruar nga infeksioni.

Aktualisht në Kosovë janë 441 raste aktive me coronavirus, me kryeqytetin që prin me më së shumti raste aktive, 104.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.