Foto: Ilustrim

32-vjeçari i arrestuar në Gjilan për shqetësimin e një gruaje në rrjete sociale është profesor i Gjimnazit

Një person është arrestuar sot në Gjilan nën dyshimin se ka shqetësuar me mesazhe në rrjete sociale një grua.

KALLXO.com mëson se i dyshuari, K.K., 32-vjeçar është profesor në Gjimnazin “Zenel Hajdini”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e këtij gjimnazi, Sami Hoxha.

Ai ka thënë se për rastin është njoftuar përmes mediave dhe se ky rast nuk lidhet diçka me shkollën.

“Unë nuk di kurrgjë. Nuk ka kurrgjë të bëj me shkollën. Çka ka bërë në punët e veta unë nuk kam asnjë qasje. Jemi njoftu në media” – ka thënë Hoxha.

Tutje ai ka shtuar se në shkollë ai e ka kryer punën e tij dhe se nuk kanë pas probleme me të.

Siç mëson KALLXO.com, i dyshuari ishte shpallur fajtor edhe më herët dhe ishte denuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për një rast të njëjtë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrtarët komunalë në Gjilan, mirëpo të njëjtët kanë thënë se nuk kanë ndonjë informatë për rastin.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka thënë se më 6 shtator 2022, rreth orës 16:00, Policia ka pranuar ankesë nga një grua se përmes rrjetit social është shqetësuar me mesazhe nga i dyshuari, K.K., 32-vjeçar.

“I dyshuari nga ana e Policisë pasi është lokalizuar, është arrestuar dhe intervistuar në bazë të procedurave ligjore” – ka thënë Hashani.

Tutje ai ka shtuar se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të doreëzohet kallëzim penal për veprën penale “Shqetësim” dhe i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë.