30 ditë paraburgim për të dyshuarin e dytë në rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren
Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit për Xhevdet Selimin, i dyshuari i dytë në lidhje me shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren më 22 nëntor. 10 persona qenë lënduar nga ky shpërthim.
Ngjarja dyshohet se kishte nisur me një rrahje mes viktimave dhe të dyshuarve. Më pas, të dyshuarit Remzi Murtezi dhe Xhevdet Selimi pretendohet se kanë hedhur një mjet shpërthyes.
Prokurori Musli Gashi ka kërkuar masën e paraburgimit, duke e argumentuar atë përpara gjykatësit të procedurës paraprake, Gani Kastrati, dhe kjo masë është aprovuar. Paraburgimi pritet të zgjasë deri më 28 dhjetor.
Gjykata ka argumentuar se të gjitha kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase janë plotësuar, ndërsa nga provat e dorëzuar nga Prokuroria rezulton se mund të ketë edhe bashkëkryes eventualë në këtë ngjarje.
Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se i dyshuari po ashtu mund të ndikojë në të dëmtuarit dhe të dyshuarit e tjerë për të shmangur deklaratat, duke penguar hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës.
“Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit sepse nga pesha e veprës penale, mënyra e kryerjes dhe rrethanat i dyshuari në bashkëpunim dhe bashkëveprim me të dyshuarin tjetër Remzi Murtezi, në një vend publik, ku frekuentimi i qytetarëve është i theksuar dhe i madh, e posaçërisht marr faktin se ishte ditë tregu ku rreziku për jetën apo trupin e njerëzve apo edhe dëmi i pasurisë mund të jetë i madh se të njëtit kanë përdorur eksploziv (lloj i panjohur për momentin), me lënien në liri i pandehuri mund të përsërisë veprën penale të kësaj natyre apo të kryejë vepër tjetër më të rëndë”-thuhet në vendim.
Gjithashtu, Gjykata ka shqyrtuar masat alternative, por ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit bazuar në rrethanat e paraqitura është i nevojshëm për efikasitetin e procedurës.
Në ngjarjen e 22 nëntorit të këtij viti në tregun e kafshëve në Prizren, nga një mjet shpërthyese (lloj i panjohur aktualisht) janë lënduar 10 persona.
Sipas Prokurorisë, rreth orës 4:50, në Prizren, në lagjen “Arbana”, saktësisht në tregun e kafshëve, i cili gjendet në rrugën “Tranziti i vjetër”, të dyshuarit Remzi Murtezi dhe Xhevdet Selimi, me dashje dhe të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe për pasojën, në bashkpunim dhe koordinim të veprimeve mes vete, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit A.S., B.S., B.P., N.B., M.B., F.S., B.V., A.M., F.S. dhe B.S. pasi që fillimisht fjalosen, për një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin), i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga ky shpërthim 10 persona pësojnë lëndime. Prej tyre M.B., F.S., B.V. dhe B.S. janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK -Prishtinë, ndërsa të dëmtuarit A.S., B.P., N.B., F.S., B.S., A.M., pas pranimit të ndihmës mjekësore janë liruar për në shtëpi.
Me këto veprime të pandehurit kishin për të kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
Ditë më parë ishte arrestuar fillimisht Remzi Murtezi të cilit Gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.