30 ditë paraburgim për dy të dyshuarit për incidentin në lagjen ‘Dardania’, ku ishin përfshirë disa nxënës

Policia e Kosovës njofton se lidhur me incidentin e ndodhur ditë më parë në lagjen “Dardania” të Prishtinës, ku ishin përfshirë disa nxënës, janë ndaluar dy persona të dyshuar të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur jashtë objektit shkollor dhe janë duke vazhduar përpjekjet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incident.

“Në incidentin i cili kishte ndodhur jashtë objektit dhe hapësirave shkollore, njëri prej nxënësve kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, përderisa Policia e Kosovës është duke vazhduar hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

Policia tutje ka njoftuar se janë duke vepruar në bazë të planit ‘Siguria në Shkolla’.

“Policia e Kosovës lidhur me këtë rast por edhe rasteve tjera të cilat kryesisht kanë ndodhur jashtë objekteve dhe hapësirave shkollore, e të cilat nuk janë ndërlidhur me procesin mësimor apo me sigurinë në shkolla, ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmerr veprime konkrete përmes planit operativ “ Siguria në Shkolla””, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, përmes këtij plani Policia e Kosovës synon parandalimin e incidenteve në shkolla dhe për rreth tyre si dhe ngritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme përfshirë sigurinë në shkolla dhe rreth tyre.

“Përveç planeve operative që janë në vijueshmëri, policia ka  angazhuar edhe njësi patrulluese me rroba civile, zyrtar sektorial dhe zyrtarë policor të njësisë së komunitetit, të cilët organizojnë takime me  drejtori të arsimit komunal, drejtori të shkollave, kujdestar të shkollave, me këshille komunale për siguri në bashkësi, me këshille lokale për siguri publike me këshille të prindërve si dhe në vazhdimësi mbajnë ligjërata  të ndryshme në mënyrë që të sensibilizojnë nxënësit dhe të parandalohen dukuritë e tilla negative”, thuhet tutje aty.