Ilustrim - Foto: Policia e Kosovës

2 milionë copë monedha 2-euroshe u tërhoqën nga tregu në periudhën dhjetor-mars

Nga muaji dhjetor i 2023-ës e deri në mars të 2024-ës, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka tërhequr nga qarkullimi 2 milionë monedha 2-euroshe.

“Konkretisht nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale”- ka njoftuar BQK.

Ky institucion bashkë me bankat komerciale kanë parandaluar hyrjen në sistem financiar duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha 2-euroshe të dyshuara për falsifikim.

Banka Qendrore e Kosovës me qëllim të parandalimit të falsifikimit të parasë ka furnizuar bankat komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar.

“Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”- thuhet në njoftim.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës bëri të ditur se mbi 230 mijë copë është numri i kartmonedhave 500 euroshe të tërhequra nga qarkullimi dhe të depozituara në BQK.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme e cila hyri në fuqi nga data 01.02.2024. Sipas rregullores së re, “institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 euro”.

BQK rekomandon që të shmanget sa më shumë përdorimi i parasë së gatshme në blerje dhe të zëvendësohet me pagesa elektronike dhe kartelave bankare.

(Ky artikull është edituar në titull dhe në paragrafin e parë, me ç’rast është fshirë fjala “false/të falsifikuara”. Koha e editimit 22.03.2024, ora 22:53)