Foto: ZKM

Kurti: Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me arrestimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili u lirua nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe, pasi pranoi se ishte organizator i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nga i cili vu vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë me gazetën malazeze Pobjeda, Kurti ka krahasuar lirimin e Radoiçiqit me marrëveshjen mes ‘bosit’ të drogës, Pablo Escobar me presidentin e Kolumbisë.

“Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin e Kolumbisë. Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrolloni komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje”- ka përshkruar Kurti.

Kurti thotë se marrëdhënia mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe Radoiçiq nuk është origjinale pasi sipas tij është parë  shumë herë më parë.

“Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë shumë herë më parë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”- tha Kurti.

Më tej, Kurti ka folur në lidhje me mundësinë e ekstradimit të Radoiçiq në Kosovë.

“Të gjithë terroristët që kanë arritur të arratisen duhet t’u dorëzohen autoriteteve të Republikës së Kosovës. Organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” duhet të shpallen organizata terroriste nga vendet tona mike, partnere dhe aleate. Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë e ka bërë këtë në seancën e 29 qershorit të këtij viti”- deklaroi Kurti.

Gjykata në Beograd e ka liruar Millan Radoiçiqin nga mbajtja, një ditë pasi u ndalua nga autoritetet serbe.

Sipas vendimit të gjykatës, në të njëjtën kohë, i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi dhe iu është ndaluar nga territori i Serbisë pa aprovim nga gjykata.

Gjithashtu, Radoiçiqit iu është ndalohet edhe ardhja në Kosovë. Sipas këtij vendimi, ai do të duhet të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Atij gjithashtu sipas vendimit gjykatës iu është konfiskuar pasaporta.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Është ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.

Radoiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar, Goran Petronijeviq.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.