Michel për marrëdhëniet Kosovë - Serbi: Nuk mund t`i lëmë konfliktet dy palëshe të na mbajnë peng

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në fjalimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Michel ka thënë se nuk duhet të lejojnë që fantazmat e së shkuarës të vjedhin të ardhmen, teksa shtoi se nuk ka bashkëpunim pa pajtim dhe se nuk ka të ardhme të qëndrueshme pa pajtim.

“E fundit në radhë, por jo nga rëndësia, nuk mund të lëmë konfliktet dy palëshe të na mbajnë peng. Zgjidhja e tyre mund të jetë më e dhimbshme se reforma, por duhet bërë. Mos i lini fantazmat e së shkuarës të ju vjedhin të ardhmen. Në fakt, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë e kanë sjellë sërish këtë në vend të parë. Nuk ka asnjë bashkëpunim, pa pajtim, nuk ka të ardhme të qëndrueshme pa pajtim dhe të gjithë e dijmë që pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja”- tha mes tjerash Michel”- ka deklaruar Michel.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.