127 aplikues synojnë tetë vendet për anëtarë të bordit të RTK-së - Dokument

Në fillim të muajit korrik Kuvendi i Kosovës me shumicë votash kishte shkarkuar bordin e Radio Televizionit të Kosovës. Ndërkaq nga 19 korriku e deri më 2 gusht kishte qenë i hapur konkursi për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar të bordit të RTK-së.

KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike në Kuvendin e Kosovës ka siguruar listën e aplikuesve për anëtar të bordit të RTK-së.

Për këto tetë pozita kanë konkuruar gjithsej 127 persona nga komuniteti shqiptar apo rreth 16 aplikues për një pozitë të anëtarit të bordit të RTK-së.

Më poshtë mund të shihni listën e plotë të aplikuesve:

KALLXO.com më 4 gusht ka dërguar kërkesë për qasje në RTK për të kërkuar listën e personave që kanë aplikuar për pozitën e anëtarit të bordit të RTK-së.

RTK më 9 gusht në një përgjigje për KALLXO.com kishte refuzuar të jap listën e aplikuesve për anëtar të Bordit të RTK-së me arsyetimin se ‘nuk kanë qasje në këto të dhëna’sepse ato i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës.

“Të dhënat të cilat i kërkoni, ne nuk mundemi të ju ofrojmë sepse ne nuk kemi qasje në dosje të aplikuesve. Me këtë ju njoftojmë se të gjitha aplikacionet në kuverta të mbyllura i kemi dorëzuar në Kuvend të Kosovës, andaj për të gjitha pyetjet që i keni rreth numrit të aplikuesve dhe dosjeve të aplikuesve në Konkursin për anëtarë të Bordit të RTK-së të shpallur me 19 korrik 2021 mund të i drejtoheni Kuvendit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e RTK-së.

Ligji  për qasje në dokumente publike i garanton të drejtën për qasje në dokumente publike secilit person si dhe përmbushjen e saj nga ana e insitucioneve publike.

Ndërkaq në një përgjigje për KALLXO.com Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës ka thënë se më 9 gusht janë pranuar dosjet e aplikesve për anëtar të Bordit të RTK-së, pra ditën kur RTK ka kthyer përgjigje për KALLXO.com dhe është arsyetuar se nuk ka qasje në dosje të aplikuesve.

“Materiali i pranuar sot (9 gusht) është adresuar tek kryetari i Kuvendit. Hapat e mëtejmë procedural do të rrjedhin sipas Ligjit për RTK-në. Sa i përket listës e njëjta duhet të jetë e disponueshme në momentin kur në Kuvend nisin procedurat sipas ligjit”, tha ai.