Doarsa Kica tregon arsyet se pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Daorsa Kica, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka përmendur arsyet, sipas saj, pse duhet të shkarkohet Bordi i RTK-së.

Ajo ka thënë se shkarkimi i këtij Bordi është i bazuar në Ligjin për RTK-në, duke cituar një nen të këtij Ligji.

“Pra, anëtari i Bordit mund të shkarkohet, ndër të tjera, nga një iniciativë tjetër jashtë formatit të Bordit të RTK-së, dhe legjitimohet nga vota e shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.Në rastin konkret, iniciativa është marrë nga dy komisione parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Kica.

Tutje, ajo ka thënë se anëtarët e Bordit Drejtues të RTK-së, në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë qasje Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, në auditim të rregullësisë dhe performancëës.

Ajo ka thënë se sipas Kushtetutës, Auditori i Përgjithshëm është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar, duke përfshirë veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike, ku bën pjesë edhe RTK-ja.

“Opinoni Ligjor i Drejtorisë së përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i datës 04.06.2021, konfirmon se asnjëherë nuk kishte ndonjë dispozite në kuadër të Ligjit të RTK-së që konteston autoritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Në bazë të shkresave eshte evidentuar kontestimi i vazhdueshem i procesit të auditimit nga Menaxhmenti i RTK-së”, ka thënë deputetja Kica.

Në seancë, Kica tha se Bordi i RTK-së, sipas saj, ka dështuar për të përpiluar një strategji afatgjate për zhvillimin dhe financimin e RTK-së.

“Bordi ka dështuar të performojë rolin e tij fiduciar mbi provizionet e nenit 23 mbi Financimin nga Themeluesi. Komisioni ka qenë në presion të vazhdueshëm për të ushtruar funksionin e tij mbikëqyrës sipas ligjit. Raportimi tremujor dhe periodik i Bordit është definuar në Nenin 30 ne Ligjin për RTK-në”.

Daorsa Kica tha se bazuar në në raportet financiare, shpenzimet për paga në vitin 2008 ishin 3,698,982 euro, ndërsa numri i punëtorëve për vitin 2008 ishte 424, plus 99 bashkëpunëtorë të pavarur.

Sipas saj, në vitin 2020, shpenzimet për paga dhe mëditje janë rritur në 8,625,000, kurse numri i punëtorëve ishte 1,024, nga të cilët 806 me kontrata të rregullta dhe 218 të tjerë me orare të pjesshme.

“Kjo tendencë e shpenzimeve dhe rritje e pakontrolluar e numrit të punëtorëve ka shkaktuar gjendje të rëndë financiare e shprehur përmes borxhit që varion ndërmjet 2.6 – 5.2 milion euro, ndërmjet 2018-2020. Sipas nenit 26, paragrafi 8, Bordi e ka për detyrë të sigurojë jo vetëm miratimin e buxhetit dhe përcaktimin e politikës së kompenzimit, por edhe të sigurojë që shpenzimet e televizionit publik nuk tejkalojnë të hyrat”, tha ndër të tjera Kica.

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci ka lexuar emrat e anëtarëve të Bordit ku sipas saj janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.

Kuvendi po e shqyrton shkarkimin e Bordit të RTK-së