Konkursi për 8 anëtarë të bordit të RTK-së do të jetë i hapur deri më 2 gusht

Më 19 korrik është hapur thirrja për aplikim për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptar të bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Thirrja do të jetë e hapur deri më 2 gusht, në ora 16:00, për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për pozitën e anëtarit të bordit të RTK-së dhe plotësojnë kriteret e kërkuara me konkurs.

Thirrje për shpërndarje të konkursit për tetë anëtarë të bordit të RTK-së në mënyrë që të bëhet një fushatë vetëdijësuese, ka bërë edhe kryetarja e Komisionit për Administratë Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica – Xhelili.

“Marrë parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij mediumi, dhe domosdoshmërinë që të kemi kandidat profesional, me integritet, që e kuptojnë rëndësinë e kësaj pozite, ju ftoj që ta shpërndani këtë konkurs. Kështu, bashkërisht mund ta bëjmë një kampanjë vetëdijesuese që ngrit informimin lidhur me këtë konkurs, por edhe thirrjen që ta kemi një proces sa më transparent e llogaridhënës që rezulton me një bord po ashtu transparent e llogaridhënës”, ka shkruar Kica Xhelili në Facebook.

Ajo ka shtuar se Kosova ka kapacitet që të krijojë një bord profesional.

“Dhe dua që bashkërisht t’i stimulojmë të gjithë kandidatët potencialë të mirëfilltë të aplikojnë”, ka përfunduar ajo.

Kandidatët e interesuar duhet të bashkëngjisin edhe dokumentet si në vijim:

– Një kopje të CV-së;

– Një Letër Motivuese;

– Një kopje të letërnjoftimit;

– Një kopje të certifikatës së lindjes;

– Dëshmitë e kualifikimit;

– Dëshmi që nuk është nën hetime;

– Tri letra të referencës;

Dorëzimi i dokumentacionit duhet të bëhet në formë fizike në ndërtesën e RTK-Televizionit të Kosovës në Zyrën e Administratës nr. 71, Rr. Xhemajl Prishtina 12, 10000 Prishtinë.

Të gjitha detajet për konkursin për tetë anëtarë të bordit të RTK-së dhe formularin për aplikim mund ta gjeni KËTU.

Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik nga Kuvendi i Kosovës.

Shkarkimi i këtij bordi ngjalli shumë reagime. Opozita e kundërshtoi ndërsa deputetët e pozitës dhanë arsyet e shkarkimit.

Për shkarkimin e Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës, pati reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovë.

Përmes një publikimi në Facebook, Ambasada ka thënë se shkarkimi i Bordit do të duhet të bëhen me prova transparente dhe jo me justifikime të pakta.

Gjatë mandatit të bordit tashmë të shkarkuar, BIRN ka raportuar se ndërkohë që Bashota ishte anëtar i bordit, dhëndri i tij u punësua si roje në RTK, gjë që është në kundërshtim me ligjin, pasi anëtarëve të bordit u ndalohet t’i punësojnë të afërmit e tyre.

BIRN ka raportuar gjithashtu për anëtarët e familjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të cilët janë punësuar si ekspertë mbi të drejtat e autorit, një kameraman dhe një në departamentin e marketingut.