Përpunimi i drurit, Foto: Pixabay

12 kompani nga Kosova pjesëmarrëse në panairin “Swissbau 2024” në Zvicër

12 kompani nga Kosova do të marrin pjesë në panairin “Swissbau 2024” në Zvicër, i cili do të mbahet nga 16 deri më 19 janar 2024.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ky panair ofron mundësi për promovimin e produkteve të përpunimit të drurit nga kompanitë kosovare.

“Prodhimet e dymbëdhjetë kompanive nga Kosova që merren me përpunimin e drurit, nga data 16 deri 19 janar 2024 do të promovohen në Panairin “Swissbau 2024” dhe do të jenë të ekspozuara në Hall 1.1, Booth no.A60, B60 dhe A90, Basel, Zvicër” – thuhet në komunikatë.

Ndërkaq MINT ka njoftuar se ajo bashkë me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK), kanë siguruar hapësirën ekspozuese në këtë panair për kompanitë vendore.

Në hapje të panairit do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.