11-vjeçarja ka qëndruar 1 muaj në strehimore, prokuroria thotë se familja ka kërkuar lirimin e saj

Prokuroria Themelore në një konferencë për media, raporton se 11-vjeçarja e cila dyshohet se u dhunua seksualisht në qershor dhe gusht të këtij viti, me vendim të prokurorisë ka qëndruar 1 muaj në strehimore.

“E dëmtuara është dërguar në strehimore dhe aty ka qëndruar rreth 1 muaj, me kërkesë të familjes është liruar dhe të njëjtit kanë deklaruar se do të mbajnë përgjegjësi për të” – tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kujtojmë se në dy raste të ndryshme janë arrestuar 11 persona nën dyshimet për dhunim, trafikim dhe shërbime seksuale.

Pesë nga të dyshuarit janë arrestuar pasi sipas policisë të njëjtit dyshohen se kishin dhunuar të miturën më 27 gusht.

Dhunimi pretendohet se ka ndodhur brenda një intervali kohor prej 7 orësh në lokacione të ndryshme. Në rastin e dytë janë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen se kanë dhunuar e trafikuar të miturën në qershor të këtij viti.

Dosja e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com flet se gjashtë të dyshuarit brenda një dite dyshohet se kanë dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur më 21 qershor të këtij viti ndërsa të dyshuarit, disa prej tyre kanë vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin dhe veprimet e dyshimta janë kryer që nga mëngjesi i hershëm.

Gjashtë persona janë arrestuar dje nga ana e policisë në lidhje me dyshimet për trafikim të së miturës e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të tjerë javën e kaluar.

Në total deri më tani janë 11 të arrestuar në lidhje me rastin e 11-vjeçares, në dy raste të ndara.

Dosja e dytë, për rastin e dhunimit dhe shërbimeve seksuale që dyshohet se ka ndodhur në qershor, flet për të arrestuarit me inicialet D. Rr., 23 vjeçar, G.S., 25 vjeçar, B.S., 26 vjeçar, F.S., 22 vjeçar, M.S., 22 vjeçar dhe M.R., 21 vjeçar.

Gjashtë të dyshuarit po dyshohen për trafikim me njerëz, shërbime seksuale dhe dhunim të 11-vjeçares.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.

Dosja: Tmerret që i kaloi 11-vjeçarja në qershor, gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale për një ditë