Prezantimi i veprës përfaqësuese për Bienalen e Venedikut 2024. Foto: KALLXO.com.

Shpaloset koncepti kuratorial i veprës që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut

Ekipi përfaqësues i Kosovës në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venedik, më 18.03.2024, gjatë një konference për media në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka shpalosur konceptin kuratorial të projektit “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të artistes Doruntina Kastrati.

Edicioni i 60-të i Bienales në Venedik do të mbahet nga 20. 04 deri më  24.11 2024 dhe sivjet trajton temën ‘’Të huajve kudo’’.

Në këtë edicion Kosova përfaqësohet me instalacionin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të artistes Kastrati, kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Pavijoni i Kosovës këtë vit do të vendoset në “Museo Storico Navale della Marina Militare” në Venedik.

Përveç ekipit përfaqësues, gjatë prezantimit një fjalë rasti mbajti edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Kosova këtë vit do të prezantohet me instalacionin skulpturor  i cili trajton çështjen e pabarazive në vendet e punës dhe pasojat e saj.

“Më 18 prill të këtij viti, hapen dyert e Pavijonit të Kosovës për adhuruesit e arteve pamore për të parë reprezentimin artistik të vendit tonë në një nga ngjarjet artistike të nivelit më të lartë botëror” – tha Çeku.

Komisionerja Hana Halilaj tha gjatë fjalës së saj se sivjet Pavijonit të Kosovës i ofrohet një  hapësirë e shkëlqyeshme për instalacionin skulpturor të Kastratit.  “Me këtë vendim mirënjohim domethënien e thellë të narracioneve që sjellim në platformën prestigjioze të La Biennale di Venezia”- tha Halilaj.

Ndërsa, autorja e veprës përfaqësuese, Doruntina Kastrati tha gjatë konferencës se instalacioni përbëhet prej katër skulpturave të cilat prezantojnë  pabarazitë në vendin te gratë dhe pasojat fizike të kësaj pune.

Duke u nisur edhe nga përvojat brenda familjes së saj, Kastrati ka thënë se frymëzimi për krijimin e veprës e ka marrë nga përjetimet e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren.

“Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë”- tha ajo.

Kuratorja Erëmirë Krasniqi tha se Pavijoni i Kosovës sivjet përqendrohet jo te lufta, po te pasojat e saj.

“Realitetet me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, të cilat kanë për kapital të vetëm shoqëror dhe ekonomik punën që ofrojnë, kanë shërbyer si pikënisje për artisten dhe janë thelbësore për hulumtimin që informon punën kuratoriale”- ka thënë kuratorja Krasniqi.

Në Biebalen e Venedikut Kosova prezantohet që nga 2013-ta: Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022).