Gjykata serbe ndalon shfaqjen në Bujanoc të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”

Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” nuk do të shfaqen në Bujanoc siç ishte planifikuar.

Producenti i filmave, Gani Veseli, ka bërë të ditur se Gjykata e Vranjës (Serbi), ka marrë vendim për të ndaluar shfaqjen e filmit  “I pabesi”, ndërsa filmi “Heshtja vret” lejohet me kusht nëse largohet logoja e Republikës së Kosovës nga filmi.

Veseli ka thënë se nuk do të lejojë që të largohet logoja e Republikës së Kosovës.

“Unë si producent nuk pranova asesi të ndodh të hiqet sepse kamë 5 filma që janë me logo të Republikës të Kosovës dhe vlerën e atyre që investojnë në Art e Kulture nuk e zhduki për asnjë arsye, kërkesë ose interes të dikujt në këtë rast të Serbisë, sepse është vlerë e artit dhe financues i këtyre Filmave”- ka shkruar ai në Facebook.

Dy filmat e të metrazhit të shkurtër të shtëpisë së produksionit “Colosseum Production” nga Presheva që ishte paraparë të shfaqeshin më 10 qershor në Shtëpinë e Kulturës në Bujanovc, “Heshtja vret” dhe “I pabesi”, me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit, trajtojnë tematika të bazuara në ngjarje të ndodhura para 80 viteve, me fokus fenomenin e hakmarrjes.

Por, në mbrëmjen e 9 qershorit, një natë para shfaqjes, policia serbe ndaloi për disa ore drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc, Jetmir Ismaili dhe producentin Gani Veseli, me pretekst se filmat nxisin urrejtje etnike apo fetare. Arsye këto që janë hedhur poshtë nga producenti Veseli.

Në një intervistë për KALLXO.com ai pati deklaruar se filmat bazohen në rrëfime popullore, në ngjarje që kanë ndodhur jo fort larg. Tematika këto, që sipas producentit të filmave, nuk kanë të bëjnë me pretendimet e policisë së Serbisë.

Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret”  janë shfaqur më 9 gusht në Kino ARMATA në Prishtinë, ndërsa prite të shfaqen edhe në vende të ndryshme evropiane.