array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Rrena për hapjen e Autostradës së Gjilanit deri në vitin 2023

Deklarata

Albin Kurti (21.07.2023): Autostrada Prishtinë – Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!

Hysen Durmishi (08.08.2023): Në autostradën Prishtinë – Gjilan janë duke u zhvilluar punimet me një dinamikë të shtuar. Ne jemi shumë optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit.

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Autostrada Prishtinë-Gjilan nuk është hapur për qarkullim në vitin 2023, siç ka premtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Krypometër e ka verifikuar në teren që punimet në këtë autostradë ende nuk janë finalizuar, pasi ka pjesë të trasesë në të cilat ende as nuk është shtruar as shtresa bazë e as asfalti. Në Ministrinë e Infrastrukturës janë arsyetuar se zvarritja e punimeve është bërë për shkak të disa problemeve që janë hasur gjatë realizimit të punimeve.

Artikulli

Autostrada e Gjilanit ka filluar të ndërtohet në vitin 2018. Në korrik të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte premtuar që kjo autostradë do të hapet në vitin 2023.

“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime!”- kishte shkruar Kurti në Facebook më 21 korrik 2023.

Në postimin e Kurtit janë dhënë edhe detaje të tjera për punimet në këtë autostradë. 

“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”- kishte shkruar Kurti më 21 korrik 2023.

Optimist se punimet do të finalizoheshin në vitin 2023 ishte edhe zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Në gusht të vitit 2023, Durmishi ishte shprehur se Autostrada e Gjilanit do të përfundohej brenda vitit [2023] teksa pati theksuar se 70% e punës është realizuar.

“Në autostradën Prishtinë– Gjilan janë duke u zhvilluar punimet me një dinamikë të shtuar. Ne jemi shumë optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit. Janë realizuar më shumë se 70% e punimeve, jemi në fazën finale, tetë operatorë ekonomikë punojnë paralelisht. Disa kanë ecur më mirë, disa kanë pasur problem më shumë, probleme të llojeve të ndryshme”- ka deklaruar Durmishi më 8 gusht 2023, në një intervistë për Telegrafin (video 01:43).

Në fund të muajit tetor 2023, kryeministri Albin Kurti kishte publikuar në faqen e tij në Facebook disa të dhëna për arritjet e qeverisë së udhëhequr nga ai. Ndër to ishte edhe Autostrada e Gjilanit.

“Anamoravën po e lidhim me Prishtinën përmes autostradës Gjilan– Prishtinë, në të cilën mbi 75% të punimeve kanë përfunduar dhe tashmë kemi ndarë buxhetin për të filluar vitin tjetër me ndërtimin e autostradës nga Gjilani deri tek Dheu i Bardhë”- kishte shkruar Kurti më 30 tetor 2023.

Por, premtimi i dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është mbajtur. Autostrada e Gjilanit nuk është lëshuar në qarkullim brenda vitit 2023, siç ishte premtuar në muajin korrik të vitit 2023 nga kryeministri i vendit.

Për të verifikuar se deri në cilën fazë kanë arritur punimet, më 12 janar 2024, ekipi i KALLXO.com ka dalë në teren për të parë nga afër punët në Autostradën e Gjilanit.

Fillimisht, gjatë vizitës në teren, ekipi i Krypometër ka konstatuar se kjo autostradë nuk është e hapur për qarkullim të automjeteve. 

Rrena për hapjen e Autostradës së Gjilanit deri në vitin 2023

Një pjesë e kësaj rruge është e asfaltuar. Ndërsa, në zonën e fshatit Bresalc dhe Zhegovc, ekipi i Krypometër ka hasur në makineri të parkuara dhe asnjë punëtor duke punuar në trasenë e kësaj rruge. 

Rrena për hapjen e Autostradës së Gjilanit deri në vitin 2023

Ekipi i Krypometër nuk ka mundur që me veturë të përshkojë të gjithë trasenë e rrugës, meqë aty ende është duke u punuar. Për të verifikuar punët që janë bërë në pjesën që nuk mund të qaset me veturë, ekipi i Krypometër ka marrë pamje nga droni. Këto pamje tregojnë se një pjesë e madhe e rrugës ende është duke u hapur traseja dhe duke u larguar pjesë të gurëve të kodrave.

Rrena për hapjen e Autostradës së Gjilanit deri në vitin 2023

Pasi është verifikuar se rruga ende nuk është finalizuar dhe punimet janë ndaluar, Krypometër ka kontaktuar me zv.ministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin.

Kur Durmishi është pyetur se pse nuk po punohet në autostradën Prishtinë- Gjilan, ai ka thënë:  “në janar jemi bre, në janar nuk punohet, në këtë periudhën e dimrit veç nëse është tepër koha e mirë, ndryshe nuk mund t’i obligojmë kompanitë që të punojnë. Dërgomi me shkrim pyetjet tjera”.

Krypometër ka dërguar pyetje te Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me zotimin e tyre për hapjen e autostradës Prishtinë- Gjilan në vitin 2023.

Në përgjigjen e MMPHI thuhet se kanë vënë në veprim maksimumin e mundësive të tyre që ta përfundojnë sa më parë autostradën Prishtinë-Gjilan, teksa theksojnë se gjatë këtij procesi janë përballur me sfida të papritura.

Jemi përballuar me sfida të papritura, në veçanti duke filluar nga rrëshqitjet e dheut në skarpata të rrugës, e që rrjedhimisht jemi detyruar që të bëjmë riformatime të domosdoshme të kontratave dhe njëherit edhe rritje të sipërfaqeve të shpronësimeve”- ka thënë  në  një  bisedë me KALLXO.com, Gent Zeqiri, zëdhënës në MMPHI.

Zeqiri thekson se këto ndryshime kanë marrë kohë të konsiderueshme dhe se në  mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, kanë marrë vendimin e menjëhershëm për shpronësimin e disa prej parcelave shtesë në mënyrë që të  përfundohet projekti sa më parë. 

Këto probleme që na kanë dalur gjatë rrugës kanë ndikuar që projekti të mos finalizohet në vitin 2023, ashtu siç edhe kemi premtuar. Gjithsesi, ne mbetemi optimistë që autostrada deri në Bresalc do të finalizohet gjatë këtij viti dhe po ashtu këtë vit do të fillojmë me vazhdimin e autostradës, përkitazi segmenti Bresalc – Dheu i bardhë. Për segmentin Bresalc- Dheu i Bardhë, tashmë veç se kemi ndarë mjetet prej 75 milionë euro shtesë për tre vitet e ardhshme”- ka shtuar Zeqiri

Edhe pse bashkëpartikët e tij kishin përmendur fundin e vitit 2023 si kohë për finalizim të Autostradës së Gjilanit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ishte treguar pesimist gjatë një përgjigje para asamblistëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit. 

“Unë e kam përmendur edhe publikisht që data 28 nëntor, respektivisht fundi i nëntorit është përmendur si datë që mund të përfundohet… megjithëse në qeveri dhe në ministri prej zyrtarëve është thënë që përfundohet në nëntor”- ka deklaruar Hyseni në seancën e Kuvendit Komunal më 26 tetor 2023 (video – min 01:02:50).

Hyseni theksoi se viti 2024, apo vera e hershme mund të jetë afati realist që mund të përfundojnë punimet në këtë autostradë.

“Edhe ky ka qenë premtimi publik ndërkohë që unë jo vetëm që e shoh problematike por nuk e besoj që realizohet brenda këtij viti sepse është tejet e vështirë të përfundohen gjithë ato punë, ndërkohë që viti i ardhshëm besoj, ose pranvera e vonë, respektivisht vera e hershme mund të jetë afati realistik që mund të përfundojnë punimet në autostradë”- deklaroi i pari i Gjilanit.

Krypometër ka kontrolluar buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 për të parë se sa mjete janë ndarë për t’u shpenzuar në vitin 2024 për këtë autostradë. Në buxhetin e Kosovës, për vitin 2024 janë paraparë të shpenzohen 17 milionë euro për autostradën Prishtinë- Gjilan. Këto mjete janë bartur si të pashpenzuara nga viti 2023. 

Në të njëjtin buxhet janë paraqitur edhe shpenzimet e planifikuara për tri vitet e ardhshme, bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (planifikimi i shpenzimeve dhe të hyrave për tri vite). Në KASH për vitin 2025, në buxhet janë paraparë 36,384,371 euro ndërsa për vitin 2026 janë paraparë 40,955,618 euro. Këto mjete janë për vazhdimin e Autostradës së Gjilanit deri në kufi me Serbinë. 

Kontrata për autostradën Prishtinë- Gjilan ishte nënshkruar më 12 shkurt të vitit 2018, në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga Pal Lekaj i AAK-së.