array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Ramush Haradinaj

Haradinaj do të vazhdojë ta marrë pagën prej 2,950 euro

Deklarata

Ramush Haradinaj: Me votimin e ligjit për pagat kam kërkuar nga ata që e bëjnë ligjin me ul vetëm një pagë, atë të kryeministrit, kam kërkuar që krejt sektorëve t’i rriten pagat përveç kryeministrit.

 

Ramush Haradinaj

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

Kryeministri kishte paraparë që paga e tij do të ulet me miratimin e Projektligjit për Pagat në sektorin publik, megjithatë nëse ky projektligj miratohet të hyrat e tij do të mbesin të njëjta në vitin e parë të zbatimit e ligjit. Meqë një nen parasheh shtesa për pozitat që pësojnë ulje të pagave, i bie që deklarimet e kryeministrit nuk janë të sakta. Krypometri do të monitorojë nëse ky projektligj do të miratohet në formën aktuale, apo nëse në nenin për shtesa do të përjashtohet kryeministri.

Artikulli

Të hyrat mujore të Kryeministrit të Kosovës nuk do të ulen me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Të paktën në vitin e parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, kryeministri dhe zyrtarët e tjerë publikë do të marrin shtesa për të kompensuar uljen eventuale të pagës.

Kryeministri është vetëm njëri nga personat që do t’i ulet paga me ligjin për pagat krahasuar me pagën aktuale. Mirëpo, pozita e kryeministrit të Kosovës paguhej 1 mijë e 443 euro në muaj, deri në kohën kur në krye të qeverisë erdhi Ramush Haradinaj.

Ai në një vendim të datës 20 dhjetor të vitit 2017 ia rriti pagën vetes për 100 për qind duke e bërë 2 mijë e 950 euro.

Megjithatë në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik që u miratua në shtator të vitit të kaluar koeficienti i përcaktuar ia ul pagën kryeministrit në 2 mijë e 629 euro.

Në fakt në shumë deklarime publike kur kryeministrit i është dashur ta mbrojë vendimin e tij për rritje pagash ai thoshte se Ligji që do të miratohet e ul pagën e tij dhe vetëm të tij.

Në ditën kur ky projektligj u miratua në Qeverinë e Kosovës, Haradinaj tha se askujt në Kosovë nuk iu është zbritur paga, përveç tij.

Ai madje kishte thënë se nuk e di sa e ka pagën momentale.

“E se kom përcjellë për besë, me shifra. Nuk e di, ama e di që e kanë përdorë një kriter për me e ulë”, tha Haradinaj.

Sot, Haradinaj e ka përsëritur se “me votimin e ligjit për pagat kam kërkuar nga ata që e bëjnë ligjin me ul vetëm një pagë, atë të kryeministrit, kam kërkuar që krejt sektorëve t’i rriten pagat përveç kryeministrit”.

Por, projektligji që u miratua në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës përmban një nen që siguron që asnjë pagë nuk do të ulet në mënyrë të menjëhershme.

Ky nen siguron që nëse një zyrtar publik pëson ulje të pagës me miratimin e këtij ligji, këtij zyrtari/je do t’i ofrohen shtesa që e mbulojnë diferencën e pagës.

“Nëse një individ, zyrtar apo funksionar publik, përfitonte përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, një pagë të plotë (paga bazë me të gjitha llojet e shtesave të rregullta), që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe një shtesë transitore të posaçme të barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vjetër dhe pagës së re”, thotë neni 27 i këtij projektligji.

Dispozitat e këtij neni thonë se këto shtesa do të ofrohen në masën 100 për qind në vitin e parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, 75 për qind në vitin e dytë, 50 për qind në vitin e tretë dhe 25 për qind në vitin e katërt.

Kjo do të thotë se nëse ky ligj hyn në fuqi, në vitin e parë të zbatimit të tij, Haradinaj do të kompensohet me shtesa duke e barazuar pagën që e ka pasur.

Ndërkaq një nen tjetër, i përjashton nga këto dispozita disa lloje të zyrtarëve publikë duke përfshirë Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat, gjyqtarët e prokurorët, policët e të tjerë.

Do të thotë, të lartpërmendurit do t’i marrin shtesat transitore të pashkallëzuara “derisa paga e re barazohet me pagën e vjetër”.

Projektligjin për paga po e kundërshtojnë disa sektorë publikë duke përfshirë arsimin dhe shëndetësinë që kanë filluar greva të përgjithshme.