Ilustrim

Sakrifica për lajmin e plotë  

Raportimi për luftën në Ukrainë duhet të shërbejë si një mesazh i qartë për mediat kosovare që të mos raportojnë nga burime të paverifikuara, të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe të ofrojnë përmbajtje mediale profesionale. Qytetarët duhet të zgjedhin burime kredibile të informacionit. Është sakrificë për lajmin e plotë. Ndërkaq për mediat që shkelin kodin e etikës ekzistojnë mekanizma vetërregullues e ligjorë, të cilët duhet konsultuar.

Lufta në Ukrainë ka shpërfaqur më mirë se kurrë se sa e rëndësishme është që qytetarëve t’iu ofrohen informata të sakta dhe të plota se çfarë po ndodh vërtet. Propaganda, sidomos ajo e palës ruse, ka bërë që në mediat online të publikohen edhe lajme të rrejshme, gjysmë të vërteta, pandehma e spekulime.

Siç ndodh zakonisht, në një konflikt të armatosur palët përpiqen ta “shesin” të vërtetën e vet, por iu mbetet mediave që të mos publikojnë gjithçka dhe t’i verifikojnë përmbajtjet që duan t’i botojnë.

Problematike dalin të jenë sidomos përmbajtjet e publikuara në mediat ruse ose që i kanë burim ato, e të cilat pastaj, shpesh edhe pa qëllim, por nga pakujdesia publikohen si të mirëqena në mediat kosovare.

Duken lajme të zakonshme që flasin, ta zëmë, për fuqinë e armatimit specifik të forcave ruse ose ndonjë depërtim të tyre përbrenda territorit ukrainas. Por, si të tilla, të paverifikuara dhe të pa dekonstruktuara, ato janë të dëmshme dhe japin një pasqyrë të shtrembëruar realiteti.

Por, jo vetëm ngjarjet e fundit në Ukrainë kanë shtuar nevojën për më shumë verifikime e hulumtime, para se përmbajtja online të publikohet.

Një numër i madh mediash online ka bërë që kosovarët të konsumojnë mijëra lajme brenda ditës, që nga ato më të rëndësishmet, deri te të tjera triviale, por mjaft të kërkuara e të lexuara nga audienca. Po flas këtu për media tamam, media që janë të regjistruara në institucionin përkatës, që kanë një adresë dhe një bord editorial.

Ndërkohë, një numër i madh “mediash” vazhdojnë të publikojnë, po ashtu, përmbajtje online. Këtu bëjnë pjesë edhe grupet e ndryshme, profilet në rrjetet sociale – më së shumti në Facebook, të cilat nuk përfillin asnjë rregull të të bërit gazetari, asnjë kod etik të gazetarisë. Qytetarët konsumojnë lajme të publikuara në këto profile, pa e pasur idenë se nuk janë media, se nuk kanë lidhje me media.

* * *

Ngjarjet në Ukrainë dhe rreth Ukrainës vetëm sa e kanë shpërfaqur nevojën gjithnjë e më të madhe që mediat online të jenë të kujdesshme për atë çfarë publikojnë dhe të mbajnë përgjegjësi për lëshimet profesionale. Por, nevoja për gazetari të mirë, gazetari të saktë ekziston gjithnjë.

Kodi etik i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) përmbledh parimet më të avancuara profesionale të të bërit gazetari. Ai duhet të respektohet nga të gjitha mediat anëtare të këtij trupi vetërregullues dhe jo vetëm. Por, Këshilli vazhdimisht pranon ankesa nga palë të pakënaqura me mënyrën e raportimit.

Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me kapitullin që përfshin raportimin e së vërtetës, pasuar nga ai që adreson të drejtën për t’u përgjigjur. Problematike del të jenë edhe mosrespektimi i kapitujve që kanë të bëjnë me privatësinë, raportimin për të miturit, të drejtën autoriale dhe reklamimin e fshehur.

Në të gjitha rastet Kuvendi i Këshillit merr vendime përkatëse, bazuar në kod.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton se mediat ndaj të cilave adresohen ankesa nuk bëjnë të tjera shkelje, ndonëse ka përmirësime në mënyrën e raportimit. Por, shumë e rëndësishme në këtë aspekt është edhe vetëdijesimi i qytetarëve për burimet e informimit.

Është e domosdoshme që ata ta kuptojnë se cilat janë burime kredibile të informacionit, e cilat jo. Natyrisht, konsumuesit e përmbajtjeve mediale kanë të drejtë të pyesin se a nuk duhet të gjitha mediat të ofrojnë informacione të sakta dhe të plota dhe pse u dashka që ata të kërkojnë se cili është lajmi i plotë. Por, në epokën e teknologjisë dhe shumësisë së mediave online, një proces i tillë është i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Është sakrificë për lajmin e plotë.

* * *

Mbizotëron njëfarë mendimi i përgjithshëm se gazetarët dhe mediat mund të publikojnë çfarë të duan, pa frikën se mund të ndëshkohen nga kush. Kjo nuk është e vërtetë.

Për të gjitha raportimet në mediat online që kushdoqoftë i konsioderon me probleme etike, adresa është KMShK.

Ky trup vetërregullues vendos për të gjitha ankesat, bazuar në kodin e etikës. Por, palët mund të veprojnë edhe bazuar në ligjin përkatës kundër shpifjes dhe fyerjes dhe ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me mediat dhe gazetaët.

E papranueshme është kur deputetë e zyrtarë qeveritarë nuk i ndjekin procedurat e nevojshme, por zgjedhin të qërojnë hesapet me media dhe gazetarë në rrjetet sociale. Beteja për lajmin e plotë duhet t’iu takojë të gjithëve. Është një sakrificë që ia vlen. Është domosdoshmëri.