Grafika: Trembelat për Kallxo.com

KRPP anuloi katër herë konkursin për ekspert të ‘e-prokurimit’

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se  Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) ka anuluar katër herë konkursin për të punësuar ekspert për platformën elektronike “e-prokurimi”.

Gjithashtu, në raportin e Auditorit evidentohet se KRPP nuk i ka menaxhuar si duhet pasuritë në vlerë 1 mijë euro, por edhe menaxhimi i sistemit kryesor financiar dhe llogaridhënia është shoqëruar me mangësi.

KRPP nuk i ka zbatuar kënaqshëm edhe rekomandimet e Auditorit.

Auditori evidenton se KRPP ka anuluar katër herë konkursin për ekspert të IT-së

“Neni 6 i rregullores së punës së KRPP-së, përcakton se të gjithë të punësuarit në KRPP janë shërbyes civil, duke përjashtuar anëtarët e Bordit. KRPP kishte zhvilluar procedura të rekrutimit në bazë të LSHC (Ligjit për Shërbyesit Civil) për ekspert të TI-së për administrimin e platformës së prokurimit elektronik, dhe se katër herë ishte anuluar konkursi për zgjedhjen e stafit. Ne identifikuam se KRPP-ja për stafin e njëjtë bazuar në ligjin e punës kishte lidhur kontrata pune me dy punonjës për pozitat, njëri Specialist i Lartë i Teknologjisë Informative dhe tjetri Ekspert i Lartë i TI-së”, thuhet në raport.

Raporti i Auditorit gjen se KRPP nuk i ka menaxhuar si duhet pasuritë në vlerën nën 1 mijë euro.

“KRPP-ja nuk kishte menaxhuar pasuritë në pajtim me kërkesat e rregullores MF nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare të organizatave buxhetore. Ne kemi vërejtur se sistemi e-pasuria nuk ishte funksional, për faktin se në këtë sistem nuk janë regjistruar pasuritë nën 1,000€ që KRPP i kishte blerë gjatë vitit 2017. Për më tepër pasurit e vitit 2016 nuk ishin të evidentuar me barkode, dhe se të dhënat e prezantuara në PVF janë hartuar në Excel. Komisionet e vlerësimit dhe inventarizimit të pasurive nuk kishin finalizuar procesin me raport dhe rekomandime të qarta për KRPP. Për më tepër gjendja mbetet e njëjtë me vitin e kaluar në lidhje me sistemin e-pasurisë”, ka potencuar në raport ZKA-ja.

Auditori thotë se KRPP nuk i ka trajtuar kënaqshëm rekomandimet e dhëna më parë.

“Niveli aktual i trajtimit të rekomandimeve nuk është i kënaqshëm për shkak se KRPP nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të rishikuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve dhe identifikimin e shkaqeve për veprim në adresimin e tyre të plotë. Një qasje e tillë është e nevojshme për të menaxhuar përmirësim të vazhdueshëm në të gjithë organizatën”,  thotë raporti i Auditorit.

Në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhimi i sistemit kryesor financiar është shoqëruar me mangësi.

“Rishikimi ynë i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin kryesor financiar ka nxjerrë në pah disa mangësi të cilat ndikojnë në zvogëlimin e efektivitetit të menaxhimit financiar në përgjithësi. Me theks të veçantë, kontrollet ishin jo efektive në paga e shtesa dhe në menaxhim të pasurive. KRPP ende nuk kishte arritur të hartojë listën e rreziqeve të cilat mund të rrezikonin arritjen e objektivave dhe reagimet në rast të ndodhjes së tyre”.

KRPP përmes konfirmimit pajtohet me të gjeturat e raportit dhe nuk ka pas koment për përmbajtjen e raportit.

Në vitin 2017, KRPP kishte një buxhet të realizuar prej 415 mijë e 219 euro, apo rreth 82 për qind të buxhetit të planifikuar për KRPP-në që ishte 509 mijë e 28 euro. Në krahasim me një vit më parë paraqet një rënie prej 9 për qind.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti, u shpenzua për paga dhe shtesa që kapën vlerën e 247 mijë e 5 euro, pastaj për mallra dhe shërbime  me 104 mijë e 791 euro, për investime kapitale 61 mijë e 72 euro dhe për shërbime komunale 2 mijë e 351 euro.

Në trendin historik të shpenzimit të buxhetit nga KRPP në tre vitet e fundit, KRPP-ja shënon buxhetin më të vogël në 2017-ën.

Në vitin 2016, KRPP kishte një buxhet prej 662 mijë e 289 euro, apo për 247 mijë euro më shumë se buxheti i vitit 2017, dhe në raport me buxhetin prej  580 mijë e 898 euro në vitin 2015 paraqet një diferencë prej 165 mijë e 679 euro më shumë.