Konfirmohet Ndalimi i Salih Mekajt për 48 Orë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 20 korrik 2015 ka urdhëruar ndalimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, Salih Mekaj.

“Urdhër ndalimin për 48 orë prokuroria e ka bërë për shkak të dyshimit të bazuar se kryetari Mekaj ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Më tej në komunikatë thuhet se mbrëmë është ndaluar edhe e dyshuara V.G., për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 3, lidhur me nenin 31 “Bashkëkryerja”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë rast prokurorja e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillim të hetimit.

11.46

Misteri mbi Arrestimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit

Mbrëmë disa media kanë raportuar për arrestimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Policia e Kosovës as nuk e ka pohuar por as mohuar arrestimin e Mekajt.

Ekipi i Kallxo.com sot ishte në Gjykatën e Apelit për të parë nëse ai është në vendin e punës. Zëdhënësi i kësaj gjykate, Arbër Jashari ka thënë se Mekaj sot nuk ka dalë në punë.

Burime brenda Apelit i kanë thënë Kallxo.com se sot nuk kanë arritur të flasin me kreun e gjykatës, pasi që telefonin e ka jashtë funksionit.

Deri më tash asnjë institucion përgjegjës nuk ka dalë me deklaratë publike për ta konfirmuar apo për ta sqaruar motivin e arrestimit.