Foto: KALLXO.com

Shkolla 'Mehmet Isai' në Gjilan pa kulm që nga muaji gusht

Më 18 gusht një stuhi shiu ka rrëzuar një pjesë të kulmit të shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Që nga muaji gusht, kjo shkollë ende është pa kulm.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Nevzad Isufi në debatin “Jeta në Komunë” ka thënë se përveç që shkolla është pa kulm ajo mbushet me ujë nga reshjet e shiut.

“Prej 18 gushtit nuk është ndërmarrë asgjë, as Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim që e ka për detyrë. Përpos kulmit është dëmtu edhe brenda sepse mbushet ujë prej reshjeve”, ka deklaruar Isufi.

Më 27 gusht Komuna e Gjilanit ka shpallur tender për ndërtimin e kulmit të shkollës. Deri më tani është publikuar vetëm njoftimi për kontratë dhe ende nuk është nënshkruar kontrata për ndërtimin e kulmit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se janë në plan të nënshkrimit të kontratës për rregullimin e kulmit të shkollës teknike “Mehmet Isai” në Gjilan.

“Jemi në plan të nënshkrimit të kontratës me operatorin i cili do ta sanojë kulmin e shkollës teknike “Mehmet Isai”. Nuk ka veprime të tjera që mundemi me i ndërmarrë për me sanu gjendjen kur nga fatkeqësitë natyrore ndodhin probleme”, ka potencuar Haziri në debatin “Jeta në Komunë”.

Haziri tha se nuk ka dashtë që të bëhet një kulm i përkohshëm për shkollën. Po ashtu ai ka njoftuar se shkolla do të jetë në renovim total në vitin e ardhshëm.

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

 

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’i përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.