Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Grumbullimi i njerëzve para selisë së Vetëvendosjes, potencial për shpërndarje të coronavirusit

Mbrëmë, pasi u mbyllën qendrat e votimit në gjithë territorin e komunës së Podujevës, qytetarë të shumtë u mblodhën para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.

Shumë nga ta nuk respektuan masat për mbajtjen e maskës ndërsa nuk u mbajt as distanca mes njëri-tjetrit.

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se partia për të cilën u mblodhën simpatizantët nuk bëri thirrje që të shpërndahen. Sipas tij, është dashur që të ndërhyjnë edhe organet e rendit.

“Qytetarët që janë mbledhur para selisë së Vetëvendosjes të cilët nuk i kanë respektuar masat anti-COVID, definitivisht janë një potencial dhe rrezik për përhapjen e virusit, një gjë e cila nuk ish dashtë me ndodh. Nuk e dimë pse policia nuk ka ndërhyrë, nuk e dimë pse LVV nuk ka dërguar një sinjal që njerëzit mos me u mbledh sepse mund të jetë një vatër e virusit”, ka thënë ai.

Por, kryetari i zgjedhur i Podujevës nga Vetëvendosje, ka thënë se qytetarët nuk janë ftuar, ata kanë dal vetë në shesh për të festuar.

“Për këtë fotografi ne jemi brengosur, në momentin që kemi vë kontaktin me masën, bashkë me kryetarin Kurti, kërkesë e jona ka qenë që masa të shpërndahet. Masa ka qenë shumë spontane, ne nuk kemi bërë thirrje”, ka thënë Shpejtim Bulliqi.