Banorët e Zubin Potokut kërkojnë zgjidhje për problemin e furnizimit me ujë

Zubin Potoku është njëra nga komunat më të pasura  me ujë në Kosovë po ku qytetarët kanë probleme me ujin e pijes. Kjo komunë ka hidrocentral që prodhon energji elektrike po qytetarët kanë problem me furnizim me rrymë.

Qeverisja e kësaj komune nga kryetari  Srxhan Vulloviq është vlerësuar si qeverisja më e keqe në raportin e performancës së komunave të hartuar nga ministria e pushtetit lokal. Kjo është renditur e 36-ta në raportin e performancës ndërsa ka 104 indikatorë ku është vlerësuar me zero pikë.

Këtu hyjnë transparenca, barazia gjinore, infrastruktura ambienti etj. Vulloviq ishte një ndër kryetarët e komunave që nuk pranuan të ishin pjesë e emisionit “Jeta në Komunë” ku do të përballeshin me ankesat e qytetarëve dhe gjetjet nga hulumtimi në terren dhe matjet në nivelin qendror.

Zubin Potoku është në mesin e komunave që mbledh shumë pak taksa dhe të dhënat e auditorit tregojnë se gjatë vitit 2019 janë mbledhur vetëm 2.226 euro nga taksat komunale.

Probleme në këtë komunë janë hasur edhe në menaxhimin financiar të komunës ku janë evidentuar parregullsi në pagesa dhe në mënyrën e menaxhimit të pasurisë komunale.

Hallet e banorëve dhe rezistenca për të folur për to

Në zonën urbane të qytetit qytetarët nuk flasin për problemet që i ka komuna. Ata preferojnë që në asnjë rast mos të përgjigjen në pyetjet e gazetarëve për ato që i pengojnë në jetën e tyre të përditshme.

Në zonat e paurbanizuara të komunës qytetarët kanë probleme me rrugë. Në fshatin Ruishte rruga është e paasfaltuar dhe për banorët kjo paraqet problem. Zubin Potoku është ndër komunat më të pasura me ujë po ku  banorët nuk kanë ujë të pijes.

“Nuk ka. Ujin e kemi sjellë në vitin 1968, nga mali atje. Kemi hapur kanalin, babai im e ka hapur. 7 bunarë kanë dalë aty, ja shikoni njëri është atje, tjetri atje. Në fund një bunar është hapë, ka mbetë, është murosur dhe ka mbetë. Por, ai një kohë ka ujë e më vonë nuk ka. Në fund kemi vendosë, në vitin 1968, kemi rrëmihë, 700 metra ka rrëmihë njeriu, 80 cm thellësi dheun, por ja njeriu. Kemi qenë të parët që kemi sjellë ujësjellësin në Kollashin. Pas nesh ka shumë që kanë ujësjellës. Por tash ka pak ujë. 30 familjarë janë këtu. Poshtë janë 4 shtëpi edhe këtu janë 4, edhe kjo e pesta, e imja e gjashta, pra diku rreth 30 familjarë. Në përgjithësi, kemi ujin natyror, ujin e vendit, të malit që e kemi sjellë ne vet”, tha Miomir Zhivorad.  

Probleme me ujin dhe kanalizimin kanë edhe banorët e fshatit Çabër . Aty banorët ankohen se kushtet janë rregulluar vetëm për banorët që jetojnë në zonën e ulët të fshatit. Naser Ferizi banor i këtij fshati përmend problemet e banorëve aty. 

“Kemi problem me kanalizim diku jemi 6 apo 7 shtëpi që nuk jemi të këqyr ne rrjet dhe kah mbrëmja kundërmon erë e rendë kemi problem edhe me rrugë çdo herë na ofrohet diçka kur ka zgjedhje por ajo dihet pse ndodh ashtu”, tha Ferizi.  

Në zona të tjera të komunës qytetarët kanë probleme me rrugët madje në Zubin Potok gjen qytetarë aktiv që për mbi 40 vite janë duke kërkuar dhe pritur shtrimin e rrugëve në fshatin e tyre. 

 

Shembulli i suksesit në bujqësi

Në Zubin Potok qytetarët jetojnë në varfëri dhe pa punë por në këtë zonë ka shembuj të mirë ku bujqit kanë arritur të krijojnë mundësi për zhvillim

Igor Lazavreviq, ka ndërtuar një bletishtë të madhe duke arritur ti siguroj vetes dhe familjes së tij të hyra mjaft stabile. Ai sot ka  650 koshere blete dhe arrina të gjeneroj fitime të mëdha.

“E dini si, ka qenë para 5 vjetësh, nuk kisha as mjete sa duhet, nëse mund ta them kështu, por mbizotëroi dashuria dhe fillova me njëzet e diçka koshere, më saktësisht 22-23 koshere kanë qenë. Atë vit ka qenë e suksesshme ndarja e koshereve dhe pastaj e zgjerova në përafërsisht 40 dhe pastaj vitin tjetër e dyfishova, respektivisht afërsisht 100 koshere. Vitin e kaluar, saktësisht në vitin 2019 kam qenë njeriu më i lumtur me to dhe jo vetëm për shkak të rendimentit, por edhe se janë zhvilluar shumë mirë, thjesht shoqëria ka qenë aq e hareshme sa që, siç them unë, ka ndodhë mrekullia. Vitin e kaluar disa afërsisht 3,5 ton mjaltë nga 500 e sa koshere sa i kisha, 550 koshere sa i kam numëruar dhe vitin e kaluar ishte një nga vitet më të suksesshme sa i përket këtyre 5 vjetëve”, theksoi Llazareviq

Komuna e Zubin Potokut nuk ka pranuar të ofroj përgjigje për çështjet e ngritura nga qytetarët dhe nga raportet e auditimit dhe ai i performacnës. Komunarët nuk kanë kthyer përgjigje në kërkesa me shkrim ndërsa as kryetari nuk ka pranuar të intervistohet për këto të gjetura.