Në vend të kunjave, komuna planifikon ngritje të nivelit të trotuarit tek Parku i Qytetit

Komuna e Prishtinës po planifikon që të lirojë hapësirat për këmbësor me rritje të nivelit të trotuareve e jo me kunja e rrethoja.

Ky projekt po planifikohet të implementohet fillimisht tek zona e parkut të qytetit ku pak ditë më parë u bë largimi i rrethojave.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka bërë të ditur se po provojnë ngritjen e nivelit të trotuarit në vend të ndalesave për makina.

Ajo potencoi se nuk e duan Prishtinën me rrethoja e kunja dhe se duhet rritje e dënimeve për parkingje vend e pavend.

“Hapi tjetër është rritja e nivelit të trotuarit dhe zgjerimi për ecje të sigurtë. Po provojmë rritjen e nivelit të trotuarit në vend të ndalesave për vetura. Nuk e duam Prishtinën me kunja/rrethoja kudo. Duhet vetëdijësim dhe rritje e dënimeve për parkingje vend e pa vend”- është shprehur Sahatçiu.

Kallxo.com ka tentuar të marr më shumë detaje nga komuna nëse ngritja e nivelit të trotuarit do aplikohet edhe në zona tjera, por nuk është dhënë ndonjë përgjigje.

Vendosja e kunjave si pengesë për parkim të makinave në hapësira për këmbësorë ka nisur gjatë qeverisjes së ish kryetarit Shpend Ahmeti.

Hiqen rrethojat te Parku i Qytetit, paralajmërohen barriera për vetura