Donjeta Sahatciu

Reagon Donjeta Sahatçiu pas shkarkimit: Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau

Donjeta Sahatçiu ka reaguar pas shkarkimit nga pozita e nënkryetares së Komunës së Prishtinës nga kryetari Përparim Rama.

Sahatçiu u shpreh se një copëz e misionit u arrit pasi, sipas saj, nga një grua e parë si nënkryetare në historinë e Prishtinës, “nesër vjen një tjetër grua nënkryetare”, duke iu referuar emërimit të Jehona Lushaku-Sadriut si ushtruese e detyrës së nënkryetares.

“Prishtinë deri herën tjetër, faleminderit! Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare”- ka shkruar Sahatçiu.

“Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër!”- shton ajo.

Sahatçiu thotë se misioni vazhdon, teksa shton se “Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”.

“Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon.. Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”- ka përfunduar ajo.

Në lidhje me shkarkimin e saj ka reaguar edhe shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, i cili tha se pavarësisht shkarkimit të Sahatçiut dhe ish-drejtorit Ilirik Musliu, këmbimi i pronave në Badovc nuk kalon.

“Pavarësisht shkarkimeve hakmarrëse të Donjeta Sahatçiu dhe Ilirik Musliu nga Kryetari Rama – këmbimi i pronave në Badovc nuk kalon! Jemi zotuar që nga fillimi i këtij mandati që do t’i dalim kundër çdo vendimi që është në dëm të interesit publik. Në mbrojtje të parimeve i përballojmë edhe sakrificat”- ka shkruar Retkoceri në Facebook.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës.

Me ketë rast ai ka njoftuar se e ka liruar nga detyra nënkryetaren e Komunës, Donjeta Sahatçiun, e cila vjen nga radhët e PDK-së.

Sahatçiu është liruar edhe nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Arsimit.

“Për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit” – ka shkruar Rama në Facebook.

Rama në vend të Sahatçiut ka emëruar si ushtruese të detyrës së nënkryetares dhe drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriun nga LDK-ja.

Më tej, kryetari i Prishtinës njoftoi për emërimin e Bekim Brestovcit si drejtor të Shërbimeve Publike, pozitë të cilën e mbante paraprakisht Ilirik Musliu nga PDK-ja

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leutrim Retkoceri, e quajti hakmarrje shkarkimin e drejtorit, Ilirk Musliu, pasi kjo parti nuk e mbështeti për këmbim të pronave në Badovc.

Tri seancat e fundit të Kuvendit Komunal janë bojkotuar nga PDK, partner në koalicionin qeverisës me LDK.

PDK pati deklaruar se vetëm kur të ketë transparencë dhe hapësirë për kontribut në hartim të rendit të pikave për diskutim do kthehet në seanca.

Përparim Rama e shkarkon nënkryetaren e Komunës së Prishtinës