Dyshohet se dha rreth 5 mijë euro me fajde, ndalohet një person në Viti

Prokuroria e Gjilanit ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale, fajde dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

I dyshuari G.J. është ndalur në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Dyshohet se G.J., në periudhën nga fundi i vitit 2022 deri në vitin 2023, në komunën e Vitisë, është përfshirë në aktivitete kriminale duke dhënë para me fajde në shumën prej 4,900 euro. Ky akt dyshohet se është kryer me qëllim që më pas të kërkonte nga i dëmtuari M.A. një shumë të njëjtë me kamatë prej 10%.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, autoritetet kanë gjetur dy armë pa leje.

Prokuroria pritet të kërkojë masat për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.