Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës ndan 10 hektarë për një strehimore dhe park për qentë në fshatin Slivovë

Komuna e Prishtinës planifikon të ndërtojë një strehimore dhe park për qentë endacakë në fshatin Slivovë.

Në fshatin që ndodhet pak kilometra larg liqenit të Badovcit, komuna ka ndarë 10 hektarë për këtë projekt.

“Lokacioni që është planifikuar të ndërtohet strehimorja dhe parku për qentë endacak është në zonën e Slivovës.  Ky lokacion është paraparë të ketë sipërfaqe rreth 10 ha”- thuhet në përgjigjen e drejtorisë së shërbimeve publike për KALLXO.com.

Ndërtimi i Parkut pritet të fillojë vitin e ardhshëm, i paraparë me planin buxhetor për vitin 2023, thuhet me tej nga kjo drejtori.

Që nga fillimi i vitit Komuna e Prishtinës ka nisur diskutimet për trajtimin e qenve endacak ku është formuar task forca me akter të ndryshëm që merren me trajtimin e qenëve endacakë, ekspertë të fushës, OJQ që merren me mbrojtjen e kafshëve, institucionet përkatëse dhe për trajtimin e qenëve endacak.

Ditë më parë komuna nënshkroi kontratë për ndërtim po ashtu të një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali.

Në këto strehimore, sipas të dhënave të komunës, qentë do i nënshtrohen procesit ‘Kastrim, Strelizim, Vaksinim dhe Lëshim’.

Derisa, javë më parë komuna ka nënshkruar kontratë edhe për blerje të mikroçipave për qentë endacak.

Komuna ka thënë për KALLXO.com se me mikroçipa do të evidentohen të gjithë qentë endacakë që i trajtojnë në territorin e kryeqytetit.

“Procedura e vendosjes se tyre është si vijon: pasi të trajtohet sipas metodës KSLV nga veterinari shërohet plaga dhe para se të lirohet i vendoset mikroçipi sipas rekomandimeve të AUV-it. Me këtë jepen të dhënat për qenin e trajtuar dhe regjistrohet në softverin e AUV-it” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës nënshkruan kontratë për ndërtim të strehimores për qentë endacakë