Ilustrim

Komuna e Prishtinës hap tender për mikroçipa për qentë endacakë

Komuna e Prishtinës ka hapur tender për t’u furnizuar me mikroçipa për qentë endacakë.

Njoftimi për kontratë është bërë publike më 7 shtator 2022 përmes e-prokurimit.

Vlera e tenderit është 35 mijë euro. Për këtë kontratë, lloji i procedurës është e hapur.

Ndërkaq, kriteri i dhënies është me çmimin më të ulët.

Vlefshmëria e tenderit është për 60 ditë.

Sipas njoftimit të kontratës, mikroçipat duhet të kenë origjinë nga BE.

“Çipi” vendoset nën lëkurën e kafshës dhe në të gjendet një numër unik identifikimi, pra një numër i caktuar i përket një kafshe të caktuar.

Komuna e cila udhëhiqet nga Përparim Rama ka thënë për KALLXO.com se me mikroçipa do të evidentohen të gjithë qentë endacakë që i trajtojnë në territorin e kryeqytetit.

“Procedura e vendosjes se tyre është si vijon: pasi të trajtohet sipas metodës KSLV nga veterinari shërohet plaga dhe para se të lirohet i vendoset mikroçipi sipas rekomandimeve të AUV-it.

Me këtë jepen të dhënat për qenin e trajtuar dhe regjistrohet në softverin e AUV-it” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Sipas tyre, me këto të dhëna do të kenë evidencë të saktë të numrit të qenëve të trajtuar dhe si numër sa janë në territorin e Prishtinës.

“Mandej këto të dhëna na duhen edhe për planet tjera për trajtime të mëvonshme” – vijon përgjigja.

Tenderi për trajtimin e qenve endacakë në komunën e Prishtinës, i cili u hap më 24 mars të vitit të kaluar, në kohën kur komuna po qeverisej nga ish-kryetari Shpend Ahmeti, është anuluar gjatë muajit gusht.

Në vendimin për anulim, Komunës e Prishtinës thotë se ka qenë edhe ndryshimi i strategjisë dhe vizionit për trajtimin e qenve endacakë.

Për tenderin në fjalë ishte parashikuar kontratë në vlerë deri 50 mijë euro.

Në muajin korrik, KALLXO.com, raportoi se Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës lidhur me çështjen menaxhimit të popullsisë së qenve endacakë në kryeqytet.

Kjo organizatë, sipas njoftimit, do të jetë afër komunës “për ta mbështetur në përgjithësi rreth menaxhimit të popullsisë së qenve në Prishtinë, bazuar në frymën e Strategjisë Kombëtare që është duke u finalizuar nga niveli qendror”.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar edhe për rastet kur qentë endacakë ka sulmuar qytetarët, të cilat kanë qenë të shumta.