Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës nënshkruan kontratë për ndërtim të strehimores për qentë endacakë

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 239 mijë euro për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë.

Objekti me rreth 20 ari sipërfaqe parashihet të ndërtohet në Hajvali.

Tenderi është nënshkruar me operatorin Eurometal SH.P.K. derisa, periudha e vlefshmërisë është për 90 ditë.

Paraprakisht ky tender ka dështuar për shkak të ndryshimeve të mëdha në bursën ndërkombëtare me çmimin e metalit.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, Operatori ekonomik duhet të angazhoj personelin profesional të cilët duhet të kenë kualifikimet shkollore të mëposhtme: Udhëheqës i punishtes – Inxhinier i dip. i  ndërtimtarisë – 2 vite përvojë pune pas  diplomimit (drejtimi konstruktiv),  inxhinier i diplomuar i arkitekturës me dy vite  përvojë pune pas diplomimit ose Bachelor i  diplomuar i arkitekturës me tri vite përvojë  pune pas diplomimit,  Inxhinier i diplomuar i elektroteknikës me dy vite përvojë pune pas diplomimit ose Bachelor i diplomuar i elektroteknikës me tri vite përvojë pune pas diplomimit, Inxhinier i diplomuar i inxhinierisë mekanike me dy vite përvojë pune pas diplomimit ose Bachelor i diplomuar i inxhinierisë mekanike me tri vite përvojë pune pas diplomimit, Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë – Drejtimi  Hidroteknik me dy vite përvojë pune pas diplomimit, ose Bachelor i diplomuar i ndërtimtarisë – Drejtimi Hidroteknik me tri vite  përvojë pune pas diplomimit dhe 3 Saldues të certifikuar për saldim të metalit.

Nga Komuna e Prishtinës më herët është bërë e ditur se në strehimoren për qentë endacakë do kryen procedura si: Kastrim, Strelizim, Vaksinim dhe Lëshim (KSLV).

Qentë do qëndrojnë deri në dy javë në këtë strehimore gjatë kryerjes së procedurës së lartpërmendur.

Sa i përket trajtimit të qenve endacakë, nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, në seancën e Kuvendit Komunal më 28 prill teksa po diskutohej për qentë endacakë, ka thënë në Prishtinë janë 5-10 mijë qen enacakë, duke potencuar se ky problem u ka dalë nga duart.

Komuna më herët gjatë këtij viti, ka planifikuar të ndajë parcelë në fshatin Slivovë për një tjetër strehimore për qentë endacakë, por lokacioni është kundërshtuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.