Foto: Themelet e shkolles 'Prenk Jakova'/Komuna e Prishtines

Komuna e konsideron të rrezikshëm lokacionin e themeleve të shkollës së muzikës

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës Florian Dushi dhe ai i Investimeve Kapitale Krenar Xhaferi kanë vizituar lokacionin e themeleve të shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ në zonën historike të qytetit.

Këto themele janë lënë në këtë gjendje prej qeverisjes së ish kryetarit Isa Mustafa.

Nga zyrtarët komunal është bërë e ditur se lokacioni konsiderohet i rrezikshëm për banorët dhe nxënësit e shkollës ‘Elena Gjika’, prandaj kanë marr vendim për masa urgjente në sigurim të lokacionit deri në një vendim përfundimtar të komunës.

“Duke e konsideruar si lokacion të rrezikshëm (i mbetur i tillë për gati tetë vite) për banorët dhe nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën Elena Gjika e cila është aty afër, është vendosur që të merren masa urgjente për të siguruar lokacionin deri në vendimin përfundimtar të Komunës lidhur me të ardhmen e atij ndërtimi”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së Inspekcionit.

Foto: Themelet e shkolles ‘Prenk Jakova’/Komuna e Prishtines

Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Isa Mustafës në vitin 2013 e kishte përuruar fillimin e punimeve për objektin e ri të Shkollës së Muzikës dhe Baletit.

Më ndërrimin e pushtetit komunal në nëntor të po këtij viti, lokacioni i përcaktuar u konsiderua si i papërshtatshëm duke bërë që të ndërpriten punimet.

Në vitin 2016 ish kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti kishte deklaruar se komuna do ndërtojë një objekt të ri për shkollën e Muzikës dhe Baletit.

Derisa,  në vitin 2019 komuna deklaroi se shkolla “Prenk Jakova” do të zhvendoset në pallatin e rinisë.

Nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” kanë qëndruar në objektin e Shkollës se Mesme të Ekonomisë nga viti 2013 deri në vitin 2016, kurse prej atij viti vazhdojnë të qëndrojnë në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”.

Shkolla e harruar e Muzikës dhe Baletit