Shkolla e harruar e Muzikës dhe Baletit

Derisa Prishtina po planifikon të ndërtojë tri shkolla nëpër lagje të ndryshme të qytetit, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” ka mbetur në themele tash e disa vite.

Si pasojë e zvarritjes së këtyre punimeve nxënësit e kësaj shkolle kanë mbetur nën mëshirën e shkollave tjera për të iu ofruar hapësirë.

Nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” kanë qëndruar në objektin e Shkollës se Mesme të Ekonomisë nga viti 2013 deri në vitin 2016, kurse prej këtij viti vazhdojnë të qëndrojnë në shkollën e mjekësisë “Ali Sokoli”.

Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Isa Mustafës në vitin 2013 e kishte përuruar fillimin e punimeve për objektin e ri të Shkollës së Muzikës dhe Baletit.

Më ndërrimin e pushtetit komunal në nëntor të po këtij viti, lokacioni i përcaktuar u konsiderua si i papërshtatshëm duke bërë që të ndërpriten punimet.

 

Objekti që ishte destinuar për Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” u ridestinua si aneks i Shkollës “Elena Gjika” pasi konsiderohej se ka nevojë për klasa shtesë.

Vlera e kontratës për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Prenk Jakova” në vitin 2013 ishte 975 mijë euro.

Në vitin 2016 kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti kishte deklaruar se komuna do ndërtojë një objekt të ri për shkollën e Muzikës dhe Baletit.

Atë kohë kryetari aktual kishte thënë se shkolla ka shkuar në rindërtim në vendin ku ka qenë por konsiderojmë se nuk është lokacion i përshtatshëm sepse sipas tij meritonte një vend më të mirë dhe një hapësirë më të madhe.

Ahmeti kishte deklaruar atë kohë se gjatë vitit 2016 do vendosej përfundimisht një lokacion i ri ku do ishte i përafërt me Fakultetin e Arteve.

Shkolla “Prenk Jakova” e kishte lënë objekin e vjetër afër Shkollës “Elena Gjika” me premtimin se do i ndërtohet objekti i ri në po atë vend.

 

Këto punime tash e disa kohë janë ndërprerë nën arsyetimin se nuk ka filluar të ndërtohet sipas planit të parashikuar.

Kryetari i komunës së Prishtinës në vitin 2019 deklaroi se shkolla “Prenk Jakova” do të zhvendoset në pallatin e rinisë që sipas tij do fillon në vitin 2020, por deri tani nuk ka asgjë konkrete.

Nga e gjithë kjo “Sagë” ngjarjesh e përplasjesh janë nxënësit e kësaj shkolle që pësuan më së shumti, duke zhvilluar aktivitete në shkolla “Nikoqire”.

Kallxo.com është munduar të marr përgjigjje nga drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala por deri në momentin e publikimit nuk kemi marr ndojnë të dhënë lidhur me problemin e lartpërmendur.

Kallxo.com ka raportuar edhe para disa viteve lidhur me anashkalimin e punimeve që janë bërë për ndërtimin e kësaj shkolle.

 

Nxënësit e Muzikës Vazhdojnë të Mësojnë në Shkollën e Mjekësisë