Komuna e Suharekës fillon me gjoba për hedhjen e mbeturinave

Banorët e Suharekës, të cilët ndotin ambientin me hedhjen e mbeturinave do të sanksionohen me gjoba.

Në njoftimin e Drejtorisë së Inspektoratit thuhet se vlera e gjobës mandatore është varësisht prej veprimit ndëshkues, prej 20 deri në 100 euro.

Në njoftimin e Inspektoratit të Komunës së Suharekës thuhet se personi ndaj të cilit shqiptohet ndëshkimi me gjobë mandatore është i detyruar që të bëjë pagesën në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e shqiptimit të gjobës ndërsa nëse personi paguan gjobën në afat të caktuar paguan vetëm gjysmën (50%) e shumës së gjobës mandatore të shqiptuar.

Kurse në raste kur personi fizik apo juridik nuk e bën pagesën e gjobës mandatore brenda 15 ditëve, lënda procedohet te përmbaruesi për ekzekutim.

“Personi që ndëshkohet me gjobë mandatore mund të parashtrojë kundërshtim me shkrim, në Autoritetin kompetent te komisioni i Kuvendit Komunal. sipas nenit 18, këtij Udhëzimi në afat prej tetë (8) ditëve nga dita e shqiptimit të ndëshkimit me gjobë mandatore. Nëse personi nuk e paguan gjobën sipas afatit të përcaktuar në nenin 11 të këtij Udhëzimi, ose nuk parashtron kundërshtim brenda afatit prej (8) ditësh, do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm në pajtim me dispozitat e Ligjit për procedurën përmbarimore”, thuhet në njoftim.