Komuna e Prizrenit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Telekomin e Kosovës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli, kanë nënshkruar marrëveshje mes Komunës së Prizrenit dhe Telekomit të Kosovës, për shërbimet e telefonit nga kjo kompani.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka shkruar në Facebook se kjo marrëveshje do t’i ulë për 30 për qind shpenzimet vjetore të shërbimeve telefonike brenda komunës.

“Me marrëveshjen e nënshkruar sot me Telekomin e Kosovës, shpenzimet vjetore në Komunë për shërbimet e telekomunikacionit, do të jenë afërsisht 30% më të ulëta. Nga mbi 33 mijë euro sa ka paguar Komuna në vitin 2017 për shpenzimet e telefonisë, sivjet do të paguajmë afërsisht 10 mijë euro më pak. Përveç kësaj, për Komunën do të ketë benefite edhe në aspektin praktik të shërbimeve nga kjo kompani. Në të ardhmen, me kompaninë e vetme publike të telekomunikacionit në vend, synojmë të kemi bashkëpunime edhe në fusha të tjera, që do të jenë në dobi të qytetarëve të Prizrenit”, ka shkruar Haskuka.