Foto: Facebook

Vetëvendosje reagon pas emërimit të Gent Begollit në krye të PTK-së

Pas zgjedhjes së Gent Begollit në krye të Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se Begolli nuk ka eksperiencë në fushën e telekomunikacionit dhe të menaxhimit.

Sipas VV-së pushteti i tanishëm po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja.

“Kuvendi i Kosovës, në disa diskutime në lidhje me Telekomin, ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa për nxerrjen nga kriza të kësaj kompanie. Emërimi i Begollit tregon se ky pushtet është duke e bërë saktësisht të kundërtën, pra, po vazhdon praktikën e ndjekur nga PDK-ja, e cila për vite me radhë përdori këtë kompani për qëllime politike, elektorale e korruptive”, thuhet në reagimin e VV-së.

Sipas kësaj partie kjo qasje e ndjekur gjatë nga partitë e pushtetit, ka sjellur kompaninë më fitimprurëse në Kosovë buzë falimentimit, praktikë kjo sipas VV-së që është përcjellë edhe në kompani të tjera publike, të cilat pasi janë zhvlerësuar tejmase, u janë dhënë grupeve të interesit të lidhura me pushtetin nëpërmjet privatizimeve abuzive.

“Kur një drejtor menaxhues emërohet në një kompani publike pa pasur ekspertizën e duhur, ai e di se është aty duke iu falënderuar partive në pushtet, dhe, kur kjo ndodhë, vendimet e tij do të jenë të orientuara më shumë drejt shpagimit të borxheve ndaj politikës sesa drejt zhvillimit të kompanisë. Tekekomi i Kosovës, përkatësisht ish-PTK, është ngritur me mund e sakrifica nga profesionistët vendor në dekadën e parë pas luftës, kurse është shkatërruar nga partitë politike në dekadën e dytë të tij”, thuhet tutje në reagimin e partisë opozitare, Vetëvendosje.

VV tha se gjatë diskutimeve publike dhe të brendshme, kjo parti ka paraqitur një plan të përgjithshëm për nxerrjen e PTK-së nga kriza, siç thuhet në reagim me masa konkrete e të detajizuara për zhvillimin e kësaj kompanie, e cila ka qenë bartëse e sektorit më të fitimprurës të kësaj epoke, telekomunikacionit.

“Emërimi i Begollit në krye të kësaj kompanie rrezikon të jetë një goditje finale ndaj një biznesi publik që në botën bashkëkohore konsiderohet të jetë tregu më fitimprurës dhe me ndikim të madh në zhvillim në sektorët tjerë të ekonomisë. Falimentimi i Telekomit mund të jetë i pashmangshëm nëse ne nuk i dalim në rrugë korrupsionit të instaluar në këtë sektor nga të partitë politike që deri sot patën pushtet”, thuhet në reagim.

Vetëvendosje përmendi edhe ‘goditjet’ e kësaj ndërmarrjeje.

“Goditje e rëndë ndaj kompanisë më të madhe publike, Telekomit, përveç se nëpërmjet korrupsionit, ka ndodhur edhe me bartjen e ndikimit industrial, i cili anti-ligjor e kundër parimeve të OECD-së, e që ka ardhur para së gjithash nga PDK-ja, por që është përcjellur edhe nga AAK-ja, LDK-ja dhe të gjitha partitë që deri sot kanë pasur pushtet. Njerëz me interesa në sektorin privat të telekomunikacionit kanë pasur kompetenca vendimmarrëse në Telekom. Këta njerëz gjatë marrjes së vendimeve, i kanë pasur primare interesat private dhe kanë lansuar e zbatuar politika që kanë dëmtuar Telekomin, për interesa të bizneseve private të lidhura me partitë politike. Qysh moti, VETËVENDOSJE!, profesionistë dhe ekspertë të ndershëm vendas si dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile kanë alarmuar opinionin publik dhe institucionet kosovare, përfshirë këtu edhe organin më të lartë të vendit, Kuvendin”, thuhet në reagimin e VV-së të publikuar në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”.

VV konsideron se falimentimi eventual i Telekomit do të ketë pasoja të shumta për ekonominë e Kosovës, që sipas VV-së jo vetëm për faktin se do të hedhë në rrugë mijëra punëtorë, por se do të ndikojë negativisht në sjelljen e teknologjisë për sektorët tjerë të ekonomisë, për nxitjen e inovacionit, dhe madje edhe për sigurinë kibernetike të vendit.

“Me fjalë të tjera, ne nuk përballohemi vetëm me zhbërjen e një kompanie publike, por jemi në prag të shkatërrimit të një lokomotive të zhvillimit në ekonominë moderne të vendit. Shkatërrimi i kësaj kompanie do të pamundësojë prospektet e Kosovës që të ndërtojë një ekonomi funksionale, do të thellojë varfërinë e do ta rrisë papunësinë. Kjo duhet të shqetësojë gjithkënd dhe jo vetëm politikën”, thuhet në fund të reagimit.

Më 21 qershor, me vota unanime, Bordi i PTK-së e ka zgjedhur Gent Begollin në krye të PTK-së.

Bordi i Politizuar i Telekomit

https://kallxo.com/cohu-vazhdon-kapja-telekomit-te-kosoves/