Gent Begolli - Foto/Facebook

Ish-kryeshefi i Telekomit aderon në AKR

Gent Begolli, ish-kryeshefi i Telekomit, ka aderuar në partinë e udhëhequr nga Behgjet Pacolli, AKR.

Begolli deri sot ishte pjesë e AAK-së.

Aderimi i tij është bërë e ditur nga kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në një takim me qytetarë dhe anëtarë të partisë, në Prishtinë.

“Unë e konsideroj qe ardhja e Gent Begollit është një risi fantastike për ne, je i mirëseardhur e di se e ke ngreh kamën zhag, dhe AKR-ja është e hapur me energji pozitive. Të dëshiroj punë të mbarë, si gjithmonë këtu do të punojmë për qytetarë me duar të pastër për ashtu siç të njohin ty”, u shpreh Pacolli.

Ndërkaq, Gent Begolli u shpreh se me AKR-në do të punojnë bashkë për një Kosovë europiane.

“Unë jam shumë i lumtur që jemi prapë bashkë. Ajo që mund të themi është së në AKR do të punojmë të gjithë bashkë për një Kosovë të mirë, për një perspektive për të të rinjve, që Kosova të jetë evropiane ashtu siç e meriton, të punojmë që qytetarët të ndihen të barabartë. AKR ka një vlerë shumë të madhe, pasi që është dëshmuar për një punë të sinqertë për të mirën e vendit”, tha ai.

Procesin zgjedhor ai e quajti ‘rrugëtim jo të lehtë por fitues’ të AKR-së.

Kujtojmë se Gent Begolli u zgjodh kryeshef i Telekomit sa ishte në partinë e Ramush Haradinajt, AAK. Por që i njëjti dha dorëheqje pas disa muajve.

Gjithashtu ai ka qenë edhe drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës në mandatin e parë të Shpend Ahmetit.