Foto: Facebook

Gent Begolli i AAK-së në krye të Telekomit

Gent Begolli është zgjedhur në krye të Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës. Begolli ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërin e Kosovës. Begolli ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.

Besa Shatri Berisha, e ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, lajmin për zgjedhjen e Gent Begollit kryeshef ekzekutiv në PTK.

Ajo tha se dje me 21 qershor, me vota unanime, Bordi i PTK-së e ka zgjedhur Gent Begollin në krye të PTK-së.

“Po është zgjedhur dje me votim të Bordit ka kaluar dhe është zgjedhur kryeshef ekzekutiv”, tha ajo.

Shatri Berisha është pyetur nëse ka ndikuar kryeministri Ramush Haradinaj, në përzgjedhjen e Begollit, por një gjë e tillë është mohuar.

“Procesi i përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv është kompetencë e Bordit. Intervistat janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe nuk ka pas ndikim as një pjesë e politikës”, tha Shatri Berisha.

Shatri Berisha, shtoi se interesimi i kandidatëve për këtë pozitë ka qenë i vogël dhe për shkak të gjendjes që ekziston e kanë zgjedhur kandidatin me më së shumti pikë.

“Tre kandiatë kanë marrë pjesë në intervistë. Pesë kanë qenë të përzgjedhur një nuk ka ardhur, njëri ka refuzuar me u përgjigj në pyetje dhe tre kandidatë janë intervistuar”, tha Shatri Berisha duke thënë se nuk i di emrat e kandidatëve të tjerë.

Ndërkaq, e pyetur nëse ka ndikuar vota e saj pro pasi ka lidhje të afërta politike me AAK-në Shatri Berisha tha se “vota im pro nuk ka ndikuar absolutisht”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se në bordin e Telekomit ishin përzgjedhur persona të afërm me partitë në pushtet. Bordi i Telekomit përbëhet nga: Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Kransiqi, Suzana Andjelkovic.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte publikuar afërsin e secilit prej anëtarëve me partitë në pushtet. Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar me Fatmir Limajn dhe dëshmitar në rastin Bellanica.

Ai e ka pranuar për “Gazetën Jeta në Kosovë” se ka shoqëri me kreun e Nismës, por e ka mohuar që është pjesë e Nismës.

Besa Shatri Berisha, është gruaja e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha. Ajo kishte qenë në listën e ngushtë tek komisioni dhe britanikët, madje ishte njëra nga më të poentuarat.

Sead Ujkani, është anëtari tjetër i Bordit të Telekomit.

Ai është mik i deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt.

Fidel Krasniqi, është anëtari tjetër i bordit të ri të Telekomit. Në një postim të AAK-së në vitin 2013 në Facebook, thuhet se Krasniqi i  është bashkuar kësaj partie si ekspert.

Bordi i Politizuar i Telekomit