Kategoritë e dala nga lufta nuk gëzojnë rritje të pensioneve

Kategoritë e dala nga lufta janë njëra nga kategoritë që kanë mbetur pa rritje të pensionit, për shkak të mungesës së buxhetit.

Qeveria e Kosovës me datën 19 të këtij muaji mori vendim që disa kategorive të iu rritet pensioni prej 20 për qind.

Kategoritë që përfituan rritje janë pensionet bazike-sociale, pensionet familjare, pensioni invalidor i punës, ndërsa pensionet kontribut dhënës përfituan 15 për qind rritje.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, në një përgjigje për KALLXO.COM, ka thënë se mos përfshirja e kategorive të dala nga lufta në rritjen e pensioneve, është një padrejtësi e madhe për këtë kategori.

“Mos përfshierja e kategorive të dala nga lufta është një padrejtësi e madhe që iu është bërë kësaj kategorie, pasi dihet kontributi që kanë dhënë. Ne kemi pritur që të përfshihemi ose në ligjin për paga ose në këto rritjet e pensioneve, por në asnjërën nuk jemi përfshi, edhe pse kemi pasur mjaft shpresa”, ka thënë Qeriqi.

Qeriqi ka thënë se kanë kërkuar takim me kryeministrin Haradinaj, për të diskutuar për këtë çështje, por një takim i tillë nuk është arritur.

“ Para 5-6 muajsh kemi kërkuar takim me kryeministrin Haradinaj në lidhje me këtë çështje, por takimi nuk është realizu. Tash para 2-3 dite kemi kërku takim me kryeparlamentarin Veseli, dhe po presim që të takohemi dhe shpresojmë të bëhet ndonjë gjë në lidhje me këtë çështje”, ka deklaruar Qeriqi.

Ndërsa Bahri Xhaferi, Udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës, ka thënë se mos përfshirja e kategorive të dala nga lufta, në rritjen e pensioneve, ka ndodhur për shkak të mungesës së buxhetit.

“Edhe pse unë nuk jam përgjegjës për rritjen e pensioneve, apo për përfshierjen e kategorive të caktuara në rritje të pensioneve, aryseja se pse kagetoritë e dala nga lufta nuk kanë gëzuar rritje të pensioneve është sepse në vijën buxhetore për vitin 2019 nuk është paraparë rritja e pensioneve për kategori”, ka deklaruar Xhaferi.

Xhaferi nuk e përjashton mundësinë e rritjes së pensioneve për këtë kategori, në vazhdim të vitit 2019.

“Mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë rritje më vonë, me ndonjë rishqyrtim edhe kjo kategori mundet të gëzojë rritje të pensioneve, gjatë vitit 2019”, ka thënë Xhaferi.

Një tjetër kategori që ka mbetur pa rritje të pensioneve, është edhe ajo e invalidëve. Ndërsa Xhaferi ka thënë se edhe për këtë kategori arsyeja është e njëjtë, mungesa e buxhetit.

Ndërsa, kategoritë e pensioneve bazike, familjare, invalidor të punës, nga 75 euro sa e kanë pasur deri tani, me rritjen e re do të gëzojnë nga 90 euro pension.

E kategoritë e pensioneve të parakohshme të Trepçës nga 105 euro sa kanë përfituar deri tani do të përfitojnë 126 euro me rritjen e re, ndërsa pensionet kontribut dhënëse nga 158 do të përfitojnë 181 euro pension, me 15% rritje, sipas vendimit të Qeverisë me datën 19 shkurt.

Jashtë skemës së rritjes së pensionëve kanë mbetur edhe mjaft pensionistë, për shkak të një Udhëzimi Administrativ, që cakton se para vitit 1999, stazh të punës aplikuesi për pension duhet të ketë minimumi 15 vite.