Parisi.

Këshilli Kushtetues në Francë miratoi ngritjen e moshës së pensionit

Këshilli Kushtetues i Francës, të premten, më 14 prill, miratoi planin për moshën e pensionit nga 62 në 64vjet.

Ky miratim nënkupton fitore për presidentin Emmanuel Macron, pas tre muajsh protesta masive për shkak të ligjeve, të cilat kanë dëmtuar udhëheqjen e tij.

Protestat po vazhdojnë në të gjithë Francën. Kundërshtarët politikë të presidentit Macron janë zotuar se do të vazhdojnë të bëjnë presion mbi qeverinë për të tërhequr projektligjin.

Këshilli Kushtetues hodhi poshtë disa masa të tjera në projektligjin për pensionin, por mosha më e vjetër ishte në qendër të planit të Macron dhe një burim zemërimi, i cili është shprehur në protestat.

Macron mund ta miratojë ligjin brenda 15 ditëve.

Të premten, më 14 prill, u mbajtën sërish protesta në të gjithë Francën, përpara vendimit të Këshillit Kushtetues për reformën e pensioneve të nisur nga presidenti Emmanuel Macron, e cila po shkakton ndarje të thella në shoqëri.

Protestat nisën në mesditë në Paris dhe janë planifikuar edhe në qytete të tjera të vendit. Bllokimi i rrugëve në vend ka vazhduar.

Në rajonin verior Ardene, anëtarët e sindikatave bllokuan autostradën për në Belgjikë, raportoi televizioni France 3. Veturat u lejuan të kalonin, ndërsa kamionët u ndaluan. Fotot tregojnë grumbuj të gomave të makinave, të djegura në rrugë.

Bllokime ka pasur edhe në qytetin lindor të Strasburgut, ku sipas raportimeve të mediave, është bllokuar një kamion-frigorifer i një kompanie ushqimore. Në Rouen, në veriperëndim të Parisit, rruga kryesore e hyrjes në qytet është e bllokuar.

Demonstruesit kanë marrë një kabinë me pagesë në autostradën afër Bordos dhe i lejuan veturat të kalonin falas. Në qytetin jugor Toulouse, sindikata CGT shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike në rrethin ku ndodhet qendra kombëtare e kërkimit.

Franca është tronditur prej muajsh nga protestat për reformën e kontestuar të pensioneve, e cila ka rezultuar në përleshje, dhunë të herëpashershme, zjarre, mbledhje të vonuar të plehrave dhe madje anulim të një vizite të mbretit të Britanisë, Charles III.

Me këtë reformë, për të cilën Macron dëshiron të hyjë në fuqi deri në fund të vitit, qeveria e qendrës së djathtë dëshiron të plotësojë boshllëkun kërcënues në fondin e pensioneve të vendit./REL