Dhjetëra mijëra protestues marshojnë në të gjithë Francën kundër reformës së pensioneve

Dhjetëra mijëra njerëz po protestojnë në të gjithë Francën për herë të dytë këtë muaj kundër një propozimi të qeverisë për ta rritur moshën e daljes në pension.

Turma të mëdha marshuan nëpër qytete për ta denoncuar një reformë që do ta rrisë moshën e daljes në pension me dy vjet nga 62 në 64 dhe përbën një provë për aftësinë e Presidentit Emmanuel Macron për t’i zbatuar politikat e tij.

Punëtorët grevistë i kanë ndërprerë dërgesat e rafinerisë franceze, transportin publik dhe shkollat të martën. Sindikata kryesore CGT ka thënë të martën se gjysmë milioni njerëz po protestojnë vetëm në Paris.

Sindikatat e punëtorëve dhe ligjvënësit e krahut të majtë në parlament po llogarisin që protestuesit të dalin në numër të madh për t’i forcuar përpjekjet e tyre për ta pamundësuar projektligjin pasi Macron humbi shumicën e tij në parlament.

Raundi i parë i grevave dhe protestave më 19 janar nxori rreth një milion deri në dy milionë demonstrues, duke përfshirë dhjetëra mijëra në Paris.

Qeveria ka mobilizuar 11,000 policë për t’u përkujdesur për mbarëvajtjen e protestave.

Pozicionet po forcohen nga të dyja palët ndërkohë që ligjvënësit kanë filluar të përfshihen në në parlament mbi projektligjin e qeverisë për reformën e pensionit.

Të hënën, Macron e përshkroi reformën si “thelbësore”. Kryeministrja e tij, Elisabeth Borne, këmbënguli në fundjavë se rritja e moshës së pensionit në 64 vjeç “nuk është më e negociueshme”.

Sondazhet e opinionit tregojnë se një shumicë e konsiderueshme e francezëve e kundërshtojnë reformën, por Macron synon të mos lëshojë pe nga pozicioni i tij./Al Jazeera

 

Përgatiti: Nuhi Shala