Gjeloshaj: Kurti nuk më uroi për pozitën e re në qeverinë malazeze

Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, njëherësh ish-kryetar i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka uruar as kur është bërë kryetar i Tuzit e as tash që është emëruar në pozitën e re si zv.kryeministër.

Këto komente ai i bëri në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

“Albin Kurti nuk ma ka uru as kur jam bo kryetar i Tuzit. Ndonëse e njoh Kurtin, kam komunikim, kemi pasur bashkëpunim edhe para se me u bo ai kryeministër. Unë e kam përkrah, më ka kërkuar që ta përkrah dhe e kam përkrahë, por kur jam zgjedh kryetar i Tuzit nuk ma ka urua prandaj jam befasu por nuk e di pse” – ka thënë Gjeloshaj.

Tutje, ai ka shtuar se para disa muajsh është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Më ka pritur si kryetar të Tuzit, kemi folur për bashkëpunim, për Tuzin etj…..” – tha Gjeloshaj.

Ai ka kujtuar edhe një rast në kohën e pandemisë kur kishte kërkuar ndihmë nga kryeministri, Albin Kurti, por që ky i fundit nuk i ishte përgjigjur.

“Kemi pasur bllokim të mjeteve të komunës nga Qeveria e Malit të Zi, dhe kam kërkuar ndihmë nga Kosova por s’më është përgjigjur. As po, as jo, Albinit iu kam drejtu” – ka shtuar Gjeloshaj.

Përderisa ka thënë se të njejtën gjë e ka bërë edhe me Qeverinë e Shqipërisë dhe e njëjta nuk i është përgjigjur fare.