Avokatja Keqekollaj krahason rastin e Liridona Ademajt me një vrasje që kreu një pilot në Greqi

Avokatja Saranda Keqekollaj në KallxoPërnime thotë se kur e lexoi rastin e Liridona Ademajt iu rikujtua një rast i ngjashëm që kishte ndodh në Greqi.

“Kur kam lexu nuk është që kam besu që ka ndodh qashtu qysh ka shkru. Menjëherë më ka shku mendja tek një rast i ngjashëm që ndodhi vjet në Greqi. Një pilot e ka vra guran e vet 20 vjet, pak a shumë skena ka qenë e ngjashme.”

“Nuk ka qenë kronologjia e rastit e spjegune në mënyrë të besueshme që me e bind dikend, aq më pak Policinë që i dijnë të gjitha llojet e krimeve që kanë ndodh. Për dallim prej atij rastit, Policia jonë është tregu shumë efikase dhe në afat rekord e ka zbulu se kush është vrasësi”- tha Keqekollaj.

Mënyra se si u shpjegua ndodhia e grabitjes, “ftohtë” nga Naim Murseli, Keqekollaj thotë se askush nuk do e kishte besuar.

“Në këtë rast kemi pas një veprim të shpejtë por është shqetësuese që çdo vit në ditët e aktivizmit, shteti i Kosovës po tronditet me një vrasje makabër si në rastin konkret”- shtoi Keqekollaj.

Liridona Ademaj 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.