Zv.kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, Foto: KALLXO.com

A do të ekstradohet në Kosovë serbi i dyshuar për krime lufte - flet zv.kryeministri i Malit të Zi

Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, njëherësh ish-kryetar i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se shumë shpejt do të bëhet ekstradimi i serbit Momqillo Vukotiq, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se personalisht është interesuar rreth kësaj çështje.

“Mendoj që shumë shpejt do të ekstradohet. Kam kërkuar informata për të. E nga Kosova s’më ka pyetur askush, por vet jam interesuar. I kam thënë ministrit të Drejtësisë që të më jap info rreth kësaj, kur ka të bëjë me çështje të shqiptarëve nuk ka nevojë askush të më pyes për t’u interesuar rreth asaj çështje. Vendimi i këtij ministri është skandaloz, mendoj që nuk është argumentuar, por duke e njohur këtë ministër mendoj që ky vendim është jo në rregull” – tha Gjeloshaj.

Gjeloshaj ka thënë se e njeh ministrin paraprak të drejtësisë, i cili e kishte refuzuar kërkuesën e Kosovës për ekstradim dhe për këtë arsye ka kërkuar verifikim të lëndës.

“Ja di mendimet atij. Andaj kam kërkuar verifikim” – ka thënë zv.kryeministri Gjeloshaj.

Ai është pyetur edhe nëse Mali i Zi do ta ekstradonte në Kosovë nëse ndonjëri nga terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator do të strehoheshin në Mal të Zi.

“Ata për ne janë terrorista kanë bërë akt terrorist dhe do të vepronim njëjtë si ndaj çdo terroristi” – u përgjigj Gjeloshaj.

Pse Mali i Zi nuk e ekstradoi në Kosovë personin që dyshohet për krime lufte?