Ish-Kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi Deklarohet i Pafajshëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit Mehmet Krasniqi dhe 13 të akuzuarve të tjerë.

Pasi prokurori special lexoi aktakuzën, gjyqtarja i pyeti të akuzuarit se a e pranojnë fajësinë për veprat penale që ju vihen në barrë nga prokuroria.

Vetëm Basri Kqiku pranoi fajësinë për mashtrim, ndërsa 13 të akuzuarit tjerë u deklaruan të pafajshëm.

Kqiku pastaj kërkoi falje për gabimin e bërë.

Ai tha se ka probleme serioze me shëndetin dhe se kërkoi nga Komuna e Obiliqit t’i jepet një leje që t’i sanojë punët që nuk janë kryer si duhet.

Deklarimin e Kqikut e përkrahu edhe avokati i tij Besnik Jakupi. Pranimin e fajësisë nga ky i akuzuar e mbështeti edhe prokurori si dhe e aprovoi edhe gjyqtarja.

Veprat penale për të cilat akuzohet Kqiku dhe 13 persona tjerë, mes tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Obiliqit Mehmet Krasniqi sipas prokurorisë janë kryer gjatë periudhës kohore 2012-2013 kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në këtë komunë në kohën kur Obiliqin e drejtonte pikërisht Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 8 maj 2015 kundër Mehmet Krasniqit, Xhavit Krasniqit, Haki Raqit, Emir Sopjanit, Sami Kadriut, Nazmi Gashit, Ramadan Hashanit, Bajram Palojit, Bujar Alidemës, Shpend Kelmendit, Basri Kqikut, Hasie Dushit, Azem Spancës dhe Altin Preniqit.

Kjo prokurori ish-kryetarin e Obiliqit Mehmet Krasniqin, por edhe  Xhavit Krasniqin, Haki Ranin dhe Nazmi Gashin i akuzon se kanë kryer nga dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi nga prokuroria akuzohen se kanë kryer secili veç e veç veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emri Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe Basri Kqikun,ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

Më pas gjatë seancës, Besnik Jakupi avokati i Basri Kqikut kërkoi që procedura ndaj klientit të tij të  veçohet. Gjyqtarja vendosi që i akuzuari Basri Kqiku me mbrojtësin e tij të mos jenë të pranishëm deri në fjalën përfundimtare.

Pas seancës, rrjedhën e sotme të saj e komentoi pikërisht avokati i të akuzuarit që pranoi fajësinë.

“Sot është mbajtur seanca e parë fillestare kundër 14 të akuzuarve. Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit special të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm me përjashtim të klientit tim i cili pranoi fajësinë për veprën penale të mashtrimit nga neni 335, paragrafi 5 i Kodit Penal të Kosovës,” tha Jakupi.

Avokati i Basri Kqikut foli edhe për veçimin e procedurës ndaj të mbrojturit të tij.

“Meqenëse unë si mbrojtës i propozova gjykatës që ta veçojë procedurën sa i përket klientit tim pasi që prezenca e tij në seancë është e panevojshme, gjykata vendosi që deri në fjalën përfundimtare të mos jemi prezentë as i akuzuari, as unë si mbrojtës,” tha Jakupi.