Historitë e Granit Elshanit: Nga vetëdorëzimi deri te dënimi

Me dënimin prej 25 vitesh burg, Gjykata Themelore në Pejë e ka mbyllur në shkallë të parë të mërkurën njërën prej ngjarjeve më të bujshme të qytetit.

Besart Shabi ishte vrarë ndërsa tre persona të tjerë përfshirë policin Hasan Buçaj dhe qytetarët Valdet Kelmendi dhe Arta Bardhi ishin plagosur në njërën prej përballjeve më publike në mes familjeve Elshani e Kelmendi.

Trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësi vendor Sami Sharraxhiu ka konstatuar se Granit Elshani ishte përgjegjësi për ngjarjen e natës së dytë të vitit të ri në njërën nga diskotekat e Pejës.

Sipas përshkrimit të gjykatësit Granit Elshani do vuajë 25 vite burgim për veprimet e tij natën e 2 janarit 2010. Gjykata ka konstatuar se Granit Elshani ishte futur në diskotekë dhe me dy revolverë kishte shtënë në drejtim të Besart Shabit e Valdet Kelmendit. Gjykata ka konstatuar po ashtu se Granit Elshani pasi kishte goditur dy viktimat kishte shtënë edhe në drejtime të tjera. Nga këto të shtëna ishte plagosur Arta Bardhi. Jashtë diskotekës, sipas konstatimit të gjykatës, Granit Elshani kishte plagosur edhe policin Hasan Buçaj i cili ishte vënë në ndjekje të personit që kishte shtënë në diskotekë.

http://kallxo.com/videodenimi-i-granit-elshanit/

Nga paslufta qyteti i Pejës ishte shndërruar në një arenë vrasjesh publike të njerëzve me nam në qytet. Vrasja publike e Valdet Kelmendit, në mars të vitit 2014, pjesëtarit të familjes Kelmendi që në qytet njihej si Lara përfshiu në rast një prokuror ndërkombëtar të EULEX-it. Një bastisje masive ishte kryer në Ozdrim të Pejës por ende rezultatet e hetimit nuk kanë zbuluar se kush ishin personat përgjegjës.

Dorëzimi

Dy vite pas vrasjes së Valdet Kelmendit, para stacionit të policisë në Pejë kishte ndaluar një makinë pa targa.

Siç shkruhet edhe në raportet e policisë, më 25 tetor Granit Elshani ishte vetëdorëzuar në stacionin e policisë në Pejë pas disa vitesh në kërkim pas ngjarjeve në diskotekë.

Dorëzimi i tij hapi njërin prej proceseve të para publike në gjykimin e çështjeve Kelmendi- Elshani.

Në muaj pas vetëdorëzimit, një prokuror i EULEX-it ngriti aktakuzën ndaj Granit Elshanit.

Në aktakuzën e tij prokurori e kishte përshkruar se konflikti në mes dy familjeve kishte marrë jetën 23 personave ndërsa ngjarja e diskotekës City Club ishte ndërlidhur me këtë konflikt.

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/

Siç përshkruhet në aktakuzën e prokurorit, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fatin e keq e kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Në aktakuzë thuhet se Graniti i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës e cila ka qenë në gjakmarrje kundër familjes Kelmendi që nga viti 2000.

Siç e përshkruan prokurori, në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme  të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Gjykimi i Granit Elshanit

Në tërë përballjen e tij me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

http://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

Një mori dëshmitarësh të prokurorisë nuk kanë arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Hasan Buçaj, polici i plagosur i cili ishte vënë në ndjekje të personit, nuk ka arritur ta identifikojë Elshanin si personi që kishte qëlluar mbi të.

Po ashtu edhe sigurimi i diskotekës “City Club” dëshmuan para trupit gjykues rreth natës kritike, të cilët thanë se natën kritike kishin parë një person duke shtënë me dy armë brenda diskotekës.

http://kallxo.com/sigurimi-diskotekes-deshmon-ne-gjykimin-e-granit-elshanit/

Asnjë nga këta dëshmitarë nuk kishim mundur ta identifikojnë personin që kishte shtënë me dy armë në diskotekën “City Club”, e ku gjeti vdekjen pronari i saj, dhe u plagosen edhe tre persona tjerë.

I vetmi që e kishte identifikuar Elshanin ishte Xhevdet Kelmendi njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendit. Xhevdeti gjatë dëshmisë se tij tha se Granit Elshani ishte personi që kishte gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllait të tij, Valdetit, dhe pronarit të diskotekës Besart Shabit.

http://kallxo.com/xhevdet-kelmendi-elshani-gjuajti-arme-ne-diskoteke/

Mbrojtja e Granit Elshanit

Granit Elshani edhe njëherë deklaroi se arsyeja e ardhjes në Kosovë nga Zvicra në dhjetor të vitit 2009 ishte për t’i nxjerrë disa dokumente të udhëtimit të Republikës së Serbisë.

Ai tha se në Kosovë kishte hyrë në mënyrë të rregullt me pasaportë me afat të skaduar.

Elshani gjatë mbrojtjes se tij tha se pasditen e  2 janarit të vitit 2010 kishte shkuar te halla e tij në fshatin Ramun të Pejës.

http://kallxo.com/granit-elshani-rrefen-ku-ishte-naten-e-incidentit-ne-diskoteken-city-club/

Ai tha se atë natë nuk kishte dalë fare nga shtëpia e hallës, derisa natën vonë ishte bastisur shtëpia dhe ishte arrestuar nga policia. Më pas ai ishte liruar në procedurë të rregullt.

Njëjtë kishin deklaruar edhe familjarët e hallës se Granit Elshanit, të cilët dëshmuan para gjykatës.

http://kallxo.com/deshmitaret-flasin-ku-ishte-granit-elshani-ne-naten-e-incidentit-ne-peje/

Elshani për momentin ndodhet në paraburgim ndërsa mbrojtja e tij ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit duke kundërshtuar dënimin e shqiptuar të mërkurën nga gjykata e Pejës.

http://kallxo.com/mbrojtja-e-granit-elshanit-paralajmeron-ankese-ndaj-vendimit-te-gjykates/

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.