Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Qeveria e Serbisë ka Kërkuar Këmbim Informatash për Vrasjen e Ivanoviqit

Sipas Kryeministrit Haradinaj, Qeveria e Serbisë ka kërkuar shkëmbim të informatave në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u deklarua sa i përket kërkesës së Qeverisë së Serbisë që të përfshihet në hetimet për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Ai tha se nuk kanë pranuar një kërkesë të Qeverisë së Serbisë për tu përfshirë në hetime për vrasjen e Ivanoviqit.

“Juridiksionin e hetimeve në Kosovë e ka Kosova, në fakt për kërkesat drejtuar EULEX-it  dhe UNMIK- ut ata nuk kanë kompetencë me dhënë një autorizim të tillë, nuk ekziston një kompetencë e tillë për ta, të vetëm autorizim për një kërkesë të tillë e kanë institucionet e Kosovës. Te ne në Kosova nuk është dorëzuar një kërkesë të tillë, është kërkuar shkëmbim informatash për të cilën edhe Kosova ka interes dhe ne jemi për sepse supozohet sepse kjo është e lidhur edhe me njerëz ose me pale e akter që nuk janë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova ka të drejtë të jap autorizime për kërkesa në involvim në hetime, ndërsa ritheksoi se një kërkesë e tillë nga ana e Serbisë nuk është pranuar.

Dy ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia ka kërkuar të marrë pjesë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë të Veriut dhe bëri të ditur se do të ketë një hetim paralel nga autoritetet serbe për këtë vrasje.

http://kallxo.com/serbia-hetim-paralel-per-vrasjen-e-oliver-ivanoviqit/