Vëllai i kandidatit për asamble nga VV-ja në krye të Termokosit

Arsim Fetahu, vëllai i kandidatit për asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Fetahu është zgjedhur kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike “Termokos”, në të cilën është aksionare Komuna e Prishtinës.

Bordi i Termokosit më 1 korrik e ka emëruar Arsim Fetahun në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Termokosit dhe pse ai sipas Komisionit vendor ishte radhitur i katërti në listën e kandidatëve më të suksesshëm dhe i treti në listën e partnerëve britanikë, BDO-së.

Fetahu është vlerësuar me 23.3 pikë nga Komisioni vendor dhe me 24 pikë nga partneri britanik, BDO.

Para Fetahut, sipas vlerësimit të Komisionit vendor janë radhitur Naser Canolli, Nagip Krasniqi dhe Naser Rusinovci. Canolli ishte vlerësuar me 27.8 pikë, Krasniqi me 27 pikë dhe Rusinovci me 25.3 pikë.

Ndërsa sipas vlerësimit të britanikëve, i pari në listën e kandidatëve më të suksesshëm për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Termokosit është radhitur Nagip Krasniqi, 27.5 pikë, i dyti si më i vlerësuari nga britanikët është Naser Canolli me 25 pikë dhe i treti është radhitur Arsim Fetahu me 24 pikë.

Dy kandidatët më të poentuar, Canolli e Krasniqi në të kaluarën kanë pasur lidhje direkte me parti politike, përkatësisht Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Bordi i Termokosit ka arritur të përmbyll këtë procesë të rekrutimit, përderisa një kompani tjetër e Komunës së Prishtinës, Ndërmarrja Publike Banesore ka mbetur pa kryeshef përkundër që janë përfunduar intervistat në fund të muajit maj. Bordi i kësaj ndërmarrje ende ska marrë vendim për emërin e personit që do të udhëheq këtë ndërmarrje.

Termokosi dhe NPB-ja janë duke ndërmarrjet më të mëdha të Komunës së Prishtinës.

Lidhja e Fetahut me Lëvizjen Vetëvendosje

Arsim Fetahu ka thënë për Gazetën JnK se nuk ka pasur asnjë ndikim politik në përzgjedhjen e tij si kryeshef ekzekutiv në “Termokos”.

Ai ka thënë se tashmë Komuna e Prishtinës nuk qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje.

Fatmir Fetahu, kandidati për asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, qw wshtw vwllai i Arsim Fetahu, kryeshef ekzekutiv në “Termokos”.

“Absolutisht kurrfarë ndikimi nuk ka pasur politika. Për mendimin tim përkundrazi Komuna tash nuk qeveriset prej Vetëvendosjes. Vëllai im është vetëm anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk ka asnjë pozitë. Nëse PSD kish pas marrëveshje me Vetëvendosjen ka pas ndonjë logjikë por Vetëvendosje ju e dini që është opozitë në Komunën e Prishtinës”, ka thënë kryeshefi i ri ekzekutiv i “Termokosit” për Gazetën JnK.

Se vëllai i Arsim Fetahut vazhdon të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e ka konfirmuar edhe Avni Jashari nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan.

“Për sa unë kam informacion Fatmir Fetahu vazhdon me qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon me qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Deri në këto momente që po flasim ai vazhdon me qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Jashari për Gazetën JnK.

Tashmë kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit” ka qenë punëtor në Termokos që prej vitit 2000. Fillimisht në pozitën e inxhinierit për 10 vite pastaj drejtor i Distribuimit. Në vitin 2015, Arsim Fetahu ka mbajtur pozitën e U.D të kryeshefit ekzekutiv derisa është zgjedhur kryeshefi ekzekutiv në “Termokos”.

Komuna e Prishtinës qeveriset nga Shpend Ahmeti, i cili ishte zgjedhur duke garuar si kandidatë i Lëvizjes Vetëvendosje. Pas ndarjes së VV-së, Ahmeti së bashku me 12 deputetë të kësaj partie e kanë marrë drejtimin e Partisë Socialdemokrate. Që nga ajo kohë, Vetëvendosja është bërë opozitë e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti,

Vëllai i kryeshefit të Termokosit, Fatmir Fetahut është anëtarë i këshillit të përgjithshëm të VV-së dhe ka qenë kandidatë për asamble në zgjedhjet lokale për Komunën e Lipjanit.

Konkursi

Konkursi për kryeshef ekzekutiv të “Termokosit” është hapur më 7 maj. Gjatë kohës sa ka qëndruar i hapur konkursi kanë aplikuar 16 kandidatë. Pas shqyrtimit të dokumenteve nga Bordi i “Termokosit” dhe partnerët britanikët të BDO-së në listën e ngushtë kanë hyrë 6 kandidatë.

Intervistat me kandidatët e kualifikuar në listën e ngushtë janë zhvilluar më 20 dhe 21 qershor.

Anëtarët e komisionit vendor kanë qenë,  Hasan Preteni- kryesues, Fatmir Sopi- anëtar, Driton Hyseni- anëtar dhe Adnan Reniqi- anëtar.