KRU Prishtina shpjegon se pse nuk është lajmëruar komuna e Prishtinës për ndërprerjen e ujit

“Koha kur ka dalë IKShPK-ja me njoftim për ndërprerje të ujit për pije ka qenë në orët e vona të natës, e në atë kohë ne jemi marrë me mobilizim” – ka shpjeguar kryeshefi i KRU Prishtina, Arsim Fetahu arsyen se pse nuk është njoftuar komuna e Prishtinës

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se paraprakisht kanë qenë 3 laboratorë duke bërë analiza finale për të verifikuar këtë dyshim.

“Dy laboratorë në IKShPK dhe një në KRU Prishtina në mënyrë që të jemi të sigurt për cilësinë e ujit dhe të dalim me rezultat final se si të veprojmë. Pasi janë marr% analizat sepse ato marrin një kohë dhe na kanë njoftuar” – tha Fetahu.

Ai ka shtuar se përkundër që është vendosur që uji të ndalohet për pije, ai nuk është ndaluar.

Edhe nga IKSHPK-ja, Burbuqe Nushi, ka thënë se uji nuk guxon të ndalet.

Fetahu ka thënë se përkundër që KRU Prishtina furnizon me ujë 7 komuna, vetëm 20% e komunës së Prishtinës furnizohet me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit.

“Ato që i kemi ndërmarr ne janë kanë masat për me menaxhu situatën, jo me informu, informimin e ka bërë IKShPK-ja dhe ne menjëherë kemi reaguar si KRU, menjëherë e kemi furnizuar QKUK-në me ujë të pijes sepse konsiderohet si institucion i ndishëm” – tha ai.

Më 19 tetor, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit, të mos e konsumojnë ujin.

Kjo pasi në bazë të analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badovcit, ka dalë se ka vlera të rritura të Manganit.

Përmes një komunikate për media ishte bërë e ditur se IKSHPK-ja ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.

“IKSHPK-ja apelon te qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, thuhej në njoftim.